Bajrami kritikon Qeverinë për çmimin e naftës: Ulni TVSH-në dhe akcizën urgjentisht
Deputetja e Hykmete Bajrami ka reaguar ashpër ndaj rritjes së çmimit të naftës në Kosovë duke akuzuar Qeverinë për mungesë veprimi dhe masa konkrete në përballje me krizën ekonomike.
Ajo ka theksuar se çmimi i naftës ndikon drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të produkteve të importuara duke rikujtuar se Kosova gjatë vitit 2025 ka importuar mbi 7 miliardë euro mallra. Sipas saj, ndryshe nga produktet e importuara për të cilat shteti ka ndikim të kufizuar, çmimi i karburanteve mund të lehtësohet përmes politikave fiskale.
Bajrami ka kërkuar që Qeveria të ndërmarrë masa urgjente duke propozuar uljen e TVSH-së për karburantet nga 18% në 8% si dhe përgjysmimin e akcizës deri në stabilizimin e tregut. Ajo ka sugjeruar që këto vendime të procedohen në Kuvend që nga 1 prilli.
Tutje, ajo ka kritikuar mungesën e dialogut me odat ekonomike dhe Shoqatën e Naftarëve duke thënë se institucionet nuk kanë mbajtur takime për të adresuar situatën ekonomike, pavarësisht rritjes së inflacionit dhe çmimit të energjisë.
Në deklaratën e saj, Bajrami ka drejtuar akuza edhe ndaj kryeministrit Albin Kurti duke pretenduar se rritja e çmimeve po ndikon në rritjen e të hyrave buxhetore dhe se situata ekonomike po shfrytëzohet për përfitime politike në prag të zgjedhjeve.
Ajo përfundoi duke e cilësuar qasjen e Qeverisë si të dështuar dhe duke kërkuar ndryshim politik. /Kosova.info/
