Prishtina nis restaurimin e Shtëpisë-Shkollë të Herticëve, drejt muzealizimit të rezistencës arsimore
Drejtoresha e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, ka njoftuar nisjen e punimeve për restaurimin dhe konservimin e Shtëpisë-Shkollë të familjes Hertica, një projekt me rëndësi të veçantë historike dhe kulturore për kryeqytetin.
Sipas saj, ky projekt tejkalon dimensionin e një objekti fizik duke prekur thellë kujtesën kolektive të qytetarëve dhe historinë e rezistencës përmes arsimit në Kosovë.
Në periudhën kur arsimi shqip ishte i ndaluar, shtëpitë-shkolla u shndërruan në qendra të fuqishme të rezistencës qytetare. Ato nuk shërbenin vetëm si hapësira mësimore, por si institucione të heshtura të lirisë, ku dija ruhej dhe përcillej si formë mbijetese dhe dinjiteti kombëtar.
Halimi theksoi se muzeu i ardhshëm nuk do të jetë vetëm një rikthim në të kaluarën, por një dëshmi e gjallë për guximin dhe sakrificën e atyre që mbajtën gjallë arsimin në rrethana të jashtëzakonshme.
Përmes këtij projekti, Komuna e Prishtinës synon të ruajë këtë trashëgimi të çmuar dhe ta përcjellë atë tek brezat e rinj dhe tek opinioni ndërkombëtar duke e shndërruar kujtesën historike në një urë lidhëse me të ardhmen.
“Kryeqyteti ynë bart vlera unike shoqërore dhe historike, të cilat duhet të ndahen gjerësisht. Sepse aty ku dija mbrohet edhe në kushte të pamundura, aty fillon liria,” ka deklaruar ajo. /Kosova.info/
