Arrest shtëpiak të dyshuarit për mashtrim ndaj zyrtarit policor
Gjykata Themelore ia ka caktuar masën e arrestit shtëpiak Valmir Hajrullahut nga Magura e Lipjanit, i dyshuar për mashtrim ndaj një zyrtari policor.
Edhe pse i njohur për Prokurorinë si dhe Gjykatën për shkak të dyshimeve për të cilat ka një aktakuzë për mashtrim të fermerëve dhe studentëve e ku vlera e dëmit pretendohet të jetë mbi 6 milionë euro, Valmir Hajrullahu i cili dyshohet se mashtroi edhe një zyrtar policor kinse do t’i transplantojë veshkën në një spital në Turqi, është lënë në masën e arrestit shtëpiak nga ana e Gjykatës Themelore në Pejë.
“Ne kemi qenë të shokuar me vendimin të cilin gjyqtari i procedurës paraprake merr vendim që cakton një prej masave më të buta, dhe i njëjti me pretendimet e tij nëpërmes avokatit të tij, thotë se për shkak të arsyeve shëndetësore a kërkuar që të mos shkojë në qendrën e paraburgimit, por të qëndrojë në masën e arrestit shtëpiak”, tha Fitim Malokaj, avokat i viktimës A.B.
Aktvendimi për masën e arrestit shtëpiak është marrë nga Gjyqtari i Procedurës Paraprake Alan Taranish derisa për këtë është ankuar prokurorja Arlinda Nallbani Gacaferri.
“Prokurori i shtetit ka apeluar këtë vendim në Gjykatën e Apelit, ndërkaq jemi në pritje të vendimin nga Gjykata e Apelit lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelor në Pejë. Vlen të potencohet se bashkë me hetuesit policor, prokurorja e çështjes ka pasur në takim përfaqësues të ambasadës së shtetit turk në Kosovë në mënyrë që të koordinohemi e të sigurojmë më shumë prova e të marrim më shumë informata lidhur me procesin se si ka ndodhur ky proces i mashtrimit ndaj viktimës ku është dëmtuar me shumë të konsiderueshme parash”, tha Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Pejë.
Familjarët e viktimës, zyrtar policor, i cili kishte paguar rreth 135 mijë euro për transplantimin e veshkës, janë të tronditur me masën e ulët që ka ndërmarrë Gjykata kundrejt të dyshuarit për mashtrim. Sipas tyre, kjo masë nuk garanton se akteri kryesor i skemës së mashtrimit kundrejt tyre nuk do të ndikojë tek dëshmitarët dhe procesi të komprometohet.
“Jemi të shqetësuar, se nëse një njeri që ka përsëritur vepra të mashtrimit dhe po len të lirë me ndikuar ose me vepruar, ose me u arratisë krejt, nuk e di”, tha vëllai i viktimës.
RTK ka disa ditë që ka pyetur Gjykatën Themelore të Pejës se cilat kanë qenë arsyet që gjykata ka vendosur një masë kaq të ulët kundrejt një recidivisti mashtrues, mirëpo nga kjo gjykatë nuk kanë kthyer përgjigje deri në transmetimin e kësaj kronike.
