Fadil Aliu: Akuzat për ndërhyrje të ambasadorëve në Gjykatën Kushtetuese janë të papërgjegjshme
Asambleisti i LDK-së në Prishtinë, Fadil Aliu, ka reaguar ndaj deklaratave ku aludohet se ambasadorë të vendeve partnere po ndikojnë në vendimet e Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës.
Ai ka thënë se deklarata të tilla, të bëra pa asnjë provë, janë të papërgjegjshme dhe dëmtojnë besimin publik në institucionet e shtetit.
Sipas Aliut, në një demokraci serioze akuza të kësaj natyre nuk bëhen me insinuata politike apo retorikë populiste. Ai thekson se nëse ekziston qoftë edhe një fakt i vetëm që dëshmon ndërhyrje në Gjykatën Kushtetuese, ai duhet të paraqitet publikisht dhe përmes institucioneve përkatëse.
“Asnjë institucion nuk mbrohet duke hedhur dyshime pa bazë. Gjykata Kushtetuese është një nga shtyllat kryesore të rendit kushtetues dhe pavarësia e saj duhet të respektohet”, ka theksuar ai.
Aliu ka shtuar se është e papranueshme që partnerët ndërkombëtarë të Kosovës, të cilët për vite kanë mbështetur ndërtimin e institucioneve demokratike dhe forcimin e shtetit të së drejtës, të bëhen objekt i akuzave të pabazuara për ndërhyrje politike.
Sipas tij, debati politik duhet të zhvillohet mbi argumente dhe fakte, ndërsa sulmet ndaj Gjykatës Kushtetuese sa herë që nuk pëlqehet një vendim dëmtojnë seriozisht kulturën demokratike dhe respektin për shtetin e së drejtës.
