VV-ja do ta çojë në Gjykatë Kushtetuese dekretin e Vjosa Osmanit: Vendim arbitrar
Deputeti i VV-së, Adnan Rrustemi, ka thënë se dekreti i Vjosa Osmanit është në shpërputhje me Kushtetutën.
Rrustemi ka thënë se vendimi i saj është arbitrar, duke shtuar se rastin do ta çojnë në Gjykatën Kushtetuese.
“Veprimi i sotëm për të shpërndarë Kuvendin, është qartazi në kundërshtim me Kushtetutën. Veprim arbitrat, që bie ndesh me bazën juridike, cenon funksionimin e institucioneve. Kushtetuta nuk ka asnjë boshllëk për rrethanat e shpërndarjes së Kuvendit. Kushtetuta parasheh dy momente të shpërndarjes së Kuvendit: neni 86 paragrafi 6 ku pas nisjes së procedurës, edhe në rundin e tretë dështon zgjedhja e presidentit. Dhe rrethana e dytë është që pas fillimit të procedurës, brenda 60 ditëve nuk arrin të zgjedh një president. Jemi në ditën e parë të afatit 60-ditor. Ne kemi dekretin për shpërndarje të Kuvendit. Është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën, dhe përbën cenim të drejtpërdrejt të rendit kushtetues, ne do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese, me kërkesë kundër këtij dekreti dhe kërkesë për masë të përkohshme. Është për të ardhur keq që presidentja ndërmerr një vendim të tillë arbitrar në ditën e parë të afatit. E ka përgjegjësinë për të mundësuar funksionimin e secilit institucion. Data për shpalljen e zgjedhjeve do të ishte 4 maji”, tha ai.
