PSHDK: Shpërndarja e Parlamentit nga Presidentja, vendim i ngutshëm dhe me dilema kushtetuese

Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës (PSHDK) ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit politike në vend duke shprehur shqetësim për vendimin e Presidentes për shpërndarjen e Kuvendit.

Në një reagim publik, PSHDK vlerëson se ky vendim është i ngutshëm dhe ngre dilema serioze kushtetuese, pasi sipas tyre nuk janë konsumuar të gjitha procedurat e parapara për zgjedhjen e Presidentit.

Sipas kësaj partie, procedura për zgjedhjen e Presidentit nuk ka filluar fare, për shkak të mungesës së kuorumit në Kuvend, dhe për rrjedhojë çdo veprim para përfundimit të saj nuk mund të konsiderohet i ligjshëm.

PSHDK thekson se në këto rrethana është e domosdoshme një interpretim i qartë nga Gjykata Kushtetuese për të shmangur paqartësitë dhe për të garantuar respektimin e rendit kushtetues.

Në fund të reagimit, kjo parti u bën thirrje forcave politike që të veprojnë në përputhje me Kushtetutën dhe të vendosin stabilitetin institucional mbi interesat politike. /Kosova.info/

Go to TOP