Letnicë po ringjallet: kthimi i kroatëve dhe një kapitull i ri shprese

Nga: Kosova Info

Pas më shumë se tri dekadash nga shpërngulja e dhimbshme e viteve ’90, ka nisur rindërtimi i fshatrave kroate në Kosovë, me një fokus të veçantë në Letnicë, një nga qendrat më të njohura historike dhe shpirtërore të komunitetit kroat në vend.

Të larguar nën presionin e regjimit të Slobodan Milošević, shumë familje kroate u detyruan të shpërngulen drejt Kroacisë në fillim të viteve ’90, në kohën kur tensionet dhe lufta në rajon po përshkallëzoheshin. Edhe pse fizikisht u larguan, lidhja e tyre me Letnicën nuk u ndërpre kurrë. Sot, pas vitesh malli dhe kujtimesh, ata po rikthehen për të investuar, ndërtuar dhe ringjallur vendlindjen e tyre.

Kroatët e Kosovës aset i shtetit dhe urë miqësie

Kroatët e Kosovës përbëjnë një pasuri të çmuar kulturore, historike dhe shpirtërore për shtetin e Kosovës. Prania e tyre shekullore dëshmon bashkëjetesën dhe lidhjen tradicionale ndërmjet popullit shqiptar dhe atij kroat. Rindërtimi i Letnicës është jo vetëm një projekt ndërtimor, por një simbol i aleancës së fortë ndërmjet dy popujve dhe një dëshmi se identiteti nuk shuhet me shpërnguljen.

Zhvillimi turistik dhe shpirtëror

Letnica është e njohur për Shenjtërorja e Zojës së Letnicës, një vend i rëndësishëm pelegrinazhi që çdo vit vizitohet nga mbi 100 mijë besimtarë dhe vizitorë nga vende të ndryshme. Rindërtimi i fshatit përfshin edhe plane për ndërtimin e një hoteli, i cili do ta plotësonte ofertën turistike dhe do ta kthente zonën në një qendër të zhvilluar fetare e kulturore.

Investimet e komunitetit kroat po shoqërohen edhe me përkrahje institucionale. Shteti i Kosovës ka investuar në infrastrukturën rrugore në të gjithë zonën, duke përmirësuar qasjen dhe duke krijuar kushte më të mira për zhvillim ekonomik dhe turistik. Pritet që këto investime të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

Një rikthim me dinjitet

Rindërtimi i Letnicës nuk është thjesht një proces fizik ndërtimi shtëpish e objektesh, por një rikthim me dinjitet në rrënjë. Është realizimi i një ëndrre të mbajtur gjallë për më shumë se 30 vite, ëndrra për ta parë Letnicën sërish të gjallë, me dritë në dritare, me zëra fëmijësh dhe me jetë komunitare.

Ky proces përçon një mesazh të fuqishëm: Kosova është shtëpi e të gjithëve që e duan dhe e ndërtojnë atë. Dhe Letnica, me historinë, besimin dhe qëndresën e saj, po bëhet sërish simbol i shpresës dhe bashkëjetesës./Kosova.info/

Go to TOP