Presidenti kroat Zoran Milanović uron Presidenten Osmani për 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar letër urimi nga Presidenti i Republikës së Kroacisë, Zoran Milanović, me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Në mesazhin e tij, Presidenti Milanović ka shprehur besimin se marrëdhëniet dhe bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve miqësore do të vazhdojnë të zhvillohen dhe të forcohen në fusha të ndryshme me interes të përbashkët, në dobi të qytetarëve të të dyja shteteve.

Ai ka vlerësuar gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë në funksion të forcimit të stabilitetit, sigurisë dhe bashkëpunimit në Evropën Juglindore duke theksuar përkushtimin e Zagrebit zyrtar për mbështetje të vazhdueshme ndaj Kosovës.

Sipas mesazhit të tij, Kroacia do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit në organizatat ndërkombëtare dhe format e bashkëpunimit rajonal, përfshirë integrimin në Bashkimin Evropian dhe NATO.

“Hvala Vam, gospodine predsjedniče!”, është shprehur Presidentja Osmani në shenjë falënderimi për urimin dhe mbështetjen e vazhdueshme kroate. /Kosova.info/

Go to TOP