“Mike e madhe e Kosovës”, Osmani i ndan Medaljen Presidenciale të Meritave deputetes britanike, Alicia Kearns
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, i ka ndarë Medaljen Presidenciale të Meritave deputetes britanike Alicia Kearns, në shenjë mirënjohjeje për mbështetjen e saj të palëkundur ndaj sovranitetit të Republikës së Kosovës dhe angazhimin e vazhdueshëm për paqe e siguri në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Gjatë ceremonisë zyrtare, Presidentja Osmani theksoi se deputetja Kearns ka qenë një zë i fuqishëm në mbrojtje të interesave të Kosovës në arenën ndërkombëtare duke ngritur vazhdimisht çështje që lidhen me sigurinë, stabilitetin dhe sfidat me të cilat përballet vendi.
Ajo shprehu mirënjohje të thellë për angazhimin e deputetes britanike në rritjen e vetëdijes ndërkombëtare për zhvillimet në Kosovë dhe në rajon duke e cilësuar atë si një mike të madhe të popullit të Kosovës.
Sipas Presidentes, kontributi i Kearns ka ndikuar në forcimin e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dhe në avancimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.
Nga ana e saj, deputetja Kearns falënderoi për vlerësimin e dhënë duke ritheksuar përkushtimin e saj për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj drejt konsolidimit ndërkombëtar dhe forcimit të paqes e sigurisë në rajon. /Kosova.info/
