Drejtori i shkollës `Pavarësia`: Nxënësi më ka kërcënuar fyer e provokuar
Pas konfirmimit nga Gjykata Themelore në Prishtinë se edhe drejtori i shkollës “Pavarësia” është pjesë e hetimeve për dhunën e ushtruar ndaj një nxënësi të kësaj shkolle, ka reaguar vet drejtori Halil Brahaj. Në një prononcim për RTKlive, Brahaj ka thënë se rasti i 9 shkurtit nuk ka qenë incident i izoluar, por kulmi i presioneve, provokimeve e kërcënimeve të vazhdueshme ndaj tij nga nxënësi 15-vjeçar.
“Me qëllimin që të mos ndërhyjë në procedurën hetimore tashmë në zhvillim e sipër, shkurtimisht ju njoftoj juve dhe opinionin publik se ngjarja e ditës kritike, është kulmim i kanosjeve, sharjeve dhe fyerjeve të vazhdueshme të pranuara nga nxënësi 15 vjeçar, A. O., në drejtim timin.”
“Siç kam deklaruar edhe sot në polici, kanosja e nxënësit ndaj meje është raportuar para ditës kritike, përkatësisht më datë 5 shkurt 2026, ku i njëjti përveç se më kishte fyer, sharë me nënë, motër, grua dhe mbi të gjitha edhe me vajzën time 2 vjeç e gjysmë më kishte kanosur edhe me vrasje. Atë ditë kam lajmëruar e raportuar policinë”, ka thënë Brahaj.
Brahaj ka theksuar se ngjarja e 9 shkurtit nuk ka qenë një incident i izoluar, por kulm i një presioni të vazhdueshëm, provokimeve dhe kërcënimeve të përsëritura. Ai ka përshkruar se në ditën kritike, pas fyerjeve dhe një tjetër kanosjeje direkte për jetë, reagimi i tij ka qenë momental.
“Në ditën kritike, pas fyerjeve dhe një tjetër kanosjeje direkte për jetë, reagimi im ka qenë momental, në gjendje tronditjeje dhe nën një ngarkesë emocionale të papërballueshme, kur më kap në dorën e majtë dhe thotë “ka me ta q…qikën e vogël e të bukur që e kishe dhe ka me t’vra”. Atëherë, kam reaguar ashtu siç edhe shihet në videon e shpërndarë… Vajza ime, ka 2 vite e gjysmë, që nxënësi A. shfaqte dëshirën të bënte seks”, thuhet në përgjigjen e drejtorit.
Ai ka shtuar se ngjarja e 9 shkurtit është kulmi i një presioni të vazhdueshëm dhe jo një incident i izoluar, duke theksuar se sjellja problematike e nxënësit është raportuar më parë në polici.
“Jam mësimdhënës me vite të tëra përvojë dhe e kam ndërtuar jetën time mbi edukimin dhe disiplinën. I qëndroj plotësisht në dispozicion drejtësisë dhe besoj se e vërteta do të sqarohet. Opinioni publik duhet ta dijë se kjo situatë nuk ka nisur atë ditë, mirëpo ka qenë rezultat i një sjelljeje problematike dhe kanosjesh të vazhdueshme që janë raportuar me kohë në polici”, ka theksuar drejtori Halil Brahaj.
Ai ka përfunduar reagimin me një apel:
“Prandaj, në situatën ku rasti është në trajtim e sipër nga organet e rendit, rezervohem nga çdo deklarim tjetër për çështjen në fjalë. Familjarë, kolegë e miq të mi, ju kërkoj falje nëse ndiheni të fyer nga brutaliteti im ndaj nxënësit tim!”.
