Dogana sekuestron mbathje sportive me vlerë mbi 24 mijë euro të pa deklarim
Dogana e Kosovës ka sekuestruar mbi 24 mijë euro mallra të falsifikuara në një subjekt afarist gjatë një kontrolli doganor në Ferizaj.
Gjatë kontrollit në ambientet e depos së subjektit, zyrtarët doganorë kanë verifikuar dokumentacionin doganor për mallrat e deklaruara, të cilat përfshinin mbathje sportive për të rritur dhe fëmijë.
Sipas vlerësimit zyrtar, vlera e mallit të sekuestruar është 24,300.00 euro, ndërsa shmangiet nga detyrimet doganore vlerësohen në 7,241.40 euro.
“Pas numërimit dhe evidentimit të pakove të identifikuara si të parregullta, janë sekuestruar gjithsej: 1,920 palë mbathje sportive me markë tregtare NIKE, dhe 330 palë mbathje sportive me markë tregtare ADIDAS. Përfaqësuesi i subjektit ka pranuar se mallrat e sekuestruara janë produkte të falsifikuara dhe është pajtuar që ato të asgjësohen, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale”, thuhet në njoftimin e doganës.
Malli i sekuestruar është transportuar nën masa sigurie në objektet doganore dhe është dorëzuar për ruajtje zyrtare. /Kosova.info/
