Rama: Kërkesat për dënime maksimale ndaj krerëve të UÇK-së janë revizionizëm politik dhe padrejtësi historike

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ashpër ndaj kërkesës së Prokurorisë për dënime maksimale deri në 45 vjet burg për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duke e cilësuar këtë veprim si një akt të turpshëm të shtrembërimit të së vërtetës dhe një sulm të drejtpërdrejtë politik ndaj luftës çlirimtare të popullit të Kosovës.

Sipas Ramës, kërkesa për dënime kaq të rënda nënkupton kriminalizimin e rezistencës ndaj okupimit dhe, në të njëjtën kohë, legjitimimin e krimeve të agresorit. Ai thekson se ky proces nuk ka për qëllim zbardhjen e përgjegjësive individuale, por synon të godasë vetë aktin e çlirimit duke e paraqitur luftën për liri si vepër penale.

“Këtu nuk po gjykohen individë, por po sulmohet një komb i tërë. Po tentohet të përmbyset historia duke e zhvendosur fajin nga agresori te viktima, nga shteti që kreu krime te ata që u ngritën kundër tyre,” ka deklaruar Rama.

Ai e ka quajtur këtë qasje padrejtësi të institucionalizuar dhe revizionizëm politik duke paralajmëruar se barazimi i pushtuesit me të pushtuarin nuk mund të quhet drejtësi.

“Një drejtësi që barazon pushtuesin me të pushtuarin nuk është drejtësi. Është një farsë që rrezikon të shndërrohet në njollë të përhershme mbi kujtesën historike dhe mbi vetë nocionin e drejtësisë ndërkombëtare,” ka përfunduar Rama.

Reagimi i tij vjen në një moment të ndjeshëm për Kosovën, ku proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së po vazhdojnë të ngjallin reagime të forta politike dhe shoqërore, brenda dhe jashtë vendit. /Kosova.info/


Go to TOP