Nisin hetimet për falsifikim të rezultateve zgjedhore në Dragash

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, ka iniciuar hetime lidhur me dyshimet për falsifikim të rezultateve zgjedhore në Qendrën Komunale të Numërimit në Dragash.

Hetimet janë iniciuar me vetiniciativë, pas pranimit të informatave publike që ndërlidhen me procesin e rinumërimit të votave, me autorizim të Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu.

Prokuroria përmes një komunikate ka njoftuar se në kuadër të këtij hetimi, janë intervistuar gjithsej pesëdhjetë e një (51) persona të dyshuar.

“Nëntë (9) prej tyre pas intervistimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar për 48 orë, në cilësinë e kryesuesve të komisioneve, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit” nga neni 216 par.2  të KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se brenda afateve ligjore do të vlerësojë parashtrimin e kërkesës për caktimin e masave për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedure”, thuhet  në njoftim.

Prokuroria dhe Policia e Kosovës kanë theksuar se mbeten të përkushtuara në mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe të drejtës së votës së qytetarëve, si dhe në luftën kundër veprave penale që cenojnë zgjedhjet e lira dhe demokratike, duke forcuar sundimin e ligjit dhe duke sjellë para drejtësisë të gjithë ata që veprojnë në kundërshtim me ligjin.


Go to TOP