Prokuroria e Ferizajt: Manipulimet me vota të kufizuara, hetime në vazhdim në disa komuna
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar opinionin publik se më 22.01.2026 ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore lidhur me dyshimet për manipulime të votave për kandidatë për deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës, me qëllim të sigurimit të provave relevante dhe identifikimit të personave përgjegjës në komunat nën kompetencën territoriale të kësaj prokurorie.
Pas veprimeve hetimore të ndërmarra nga Prokurori i Shtetit, takimeve koordinuese me Policinë e Kosovës dhe raportit të pranuar prej tyre, Prokuroria ka bërë të ditura të gjeturat për komunat përkatëse.
Në komunën e Ferizajt, bazuar në raportet që përfshijnë 153 vendvotime, keqpërdorimet me vota kanë rezultuar të jenë në përqindje të ulët. Konkretisht, nga 153 vendvotime, vetëm një kandidat ka pasur shtim prej shtatë (7) votash në të gjitha qendrat, ndërsa për kandidatët e tjerë shtimi ka qenë nga një (1) deri në tre (3) vota.
Edhe në komunën e Hanit të Elezit, përqindja e manipulimeve është vlerësuar si e ulët dhe e krahasueshme me atë të Ferizajt.
Ndërkaq, në komunën e Shtimes janë evidentuar manipulime në tri qendra të votimit, me një përqindje disi më të lartë, ku është konstatuar shtim i votave për tre kandidatë, në shifra që variojnë nga dhjetë (10) deri në dyzet e pesë (45) vota.
Lidhur me këto manipulime, Prokuroria ka autorizuar Policinë e Kosovës që të intervistojë kryesuesit e qendrave të numërimit për komunat e Ferizajt dhe Hanit të Elezit, si dhe komisionerët dhe kryesuesit, në cilësinë e të dyshuarve, në komunën e Shtimes.
Sa i përket komunave të Kaçanikut dhe Shtërpcës, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka bërë të ditur se ende është në pritje të raporteve përfundimtare nga Policia e Kosovës.
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka theksuar se do të vazhdojë hetimet në procedurë të rregullt deri në intervistimin e të gjithë të dyshuarve, përveç rasteve kur paraqiten rrethana të tjera që kërkojnë veprime shtesë hetimore.
Në fund, Prokuroria ka riafirmuar angazhimin e saj për mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve dhe ka theksuar se do të hetojë çdo rast të dyshuar, me qëllim të ruajtjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimit të ligjit. /Kosova.info/
