Kur politika dorëzon çlirimtarët në duart e padrejtësisë të një gjykate fashiste

Shkruan: Astrit Gashi

Sot, rezistenca ndaj praktikave të Gjykatës Speciale dëshmon një dështim tragjik dhe shumëdimensional. Ky nuk është thjesht një dështim politik, por një kapitullim i dinjitetit tonë kombëtar përballë një tribunali që përdor metoda fashiste, i cili ka asgjësuar çdo shpresë për një proces të drejtë. Gabimi ynë historik fillon me mungesën e një proteste radikale që në zanafillë një reagim që duhej të delegjitimonte një sistem që nuk kërkon drejtësinë, por tjetërsimin e narratives së luftës sonë çlirimtare.

Është utopi të pritet një verdikt i drejtë nga një trup gjykues që ka braktisur rolin e arbitrit të paanshëm (impartial tribunal) për të marrë rolin e egër të prokurorit. Jemi dëshmitarë të shkeljeve flagrante procedurale si mbajtja në paraburgim e krerëve të luftës, edhe pse hetimet kanë përfunduar prej kohësh, është një akt i pastër arbitrariteti. Kjo metodë e izolimit të stërzgjatur, pa një bazë të qëndrueshme ligjore, i ngjan më shumë proceseve të diktaturave sesa drejtësisë evropiane që na premtohet. Kjo gjykatë nuk po gjykon krime, po ekzekuton lirinë.

Gjeografia e protestave nga Prishtina dhe Shkupi, deri në Tiranë e Strasburg mbeti vetëm një hartë e dëshpërimit pa asnjë efekt real. Këto organizime dështuan sepse ishin të dobëta, anemike dhe pa një strukturë të mirëfilltë presioni. Në vend që të ishin marshime që tronditnin themelet e institucioneve dhe të diplomacisë ndërkombëtare, ato mbetën takime folklorike me fjalime patetike të “patriotëve” të vonuar të historisë.

Në Strasburg, aty ku duhej të buçiste e vërteta jonë juridike, zëri ynë ishte i mekur një marshim i kotë në ditë vikendi. Amatorizmi i organizatorëve, të cilët mbetën robër të një reagimi emocional kolektiv, bëri që bota t’i shihte ato si thjesht “zhurmë rruge” dhe jo si mbrojtje të dinjitetit kombëtar. Protestat e tilla “sa për sy e faqe” nuk kryejnë punë; ato vetëm e ushqejnë komoditetin e xhelatëve tanë juridikë.

Përgjegjësia për këtë degradim rëndon mbi dy shtyllat e sovranitetit tonë: Kuvendin e Kosovës dhe atë të Shqipërisë.

Ekzekutivi i Shqipërisë u mjaftua me retorikë simbolike, duke injoruar qëllimisht origjinën ruse të rezolutës që i dha jetë kësaj gjykate. Duke shkele rende kushtetuten e shtetit për mbrojtjen e shqiptareve kunder nje diskriminimi nga nje gjykatë fashiste.

Kuvendi i Kosovës dështoi të rishikonte bazën ligjore të këtij mekanizmi, duke e paralizuar veten në momentet më vendimtare dhe duke e lënë procesin në një vakum të tmerrshëm llogaridhënieje. Kjo nuk është një rastëesi!

Këto institucione treguan se janë të gatshme të dorëzojnë historinë vetëm për të ruajtur komoditetin e tyre diplomatik.

Mungoi një doktrinë shtetërore e së drejtës që do ta trajtonte këtë proces si një sfidë ndaj narratives së luftës çlirimtare. Rezistenca duhej të ishte transformuese: bllokim institucional dhe presion i pandalshëm ndaj ligjvënësve që heshtin. Por mjerisht, sot rolin e “avokatit” po e luajnë njerëz që dikur kontribuan, së bashku me shërbime të huaja, që të akuzohej lufta jonë. Kjo është thika më e rëndë pas shpine.

“Shteti që nuk mbron të vërtetën e vet juridike, përfundon duke legjitimuar versionin juridik të palës kundërshtare.”

Tashmë është shumë vonë për të sfiduar këtë teatër të absurdit pa një kthesë radikale. Ne rrezikojmë të humbasim jo vetëm lirinë e individëve në Hagë, por edhe sovranitetin moral mbi historinë tonë. Ata që sot heshtin dhe ata që organizuan protesta “për protokoll”, do të mbajnë mbi supe njollën e tradhtisë ndaj një kombi të tërë. Historia nuk do t’i harrojë, por do t’i ndëshkojë me përbuzje të përjetshme. Drejtësia fashiste nuk mundet me lule e fjalime, por me forcën e një kombi që nuk pranon t’i tjetërsohet e vërteta.

Go to TOP