Ish-gazetari i RTK-së, Mon Beqiri, kujton vrasjet e shkurtit të vitit 2000
Sot janë bërë 26 vjet nga vrasja e dhjetëra shqiptarëve dhe dëbimi i mijëra të tjerëve nga veriu i Mitrovicës. Kjo tragjedi në atë kohë u përcoll nga gazetarët e Radiotelevizionit të Kosovës. Mes tyre edhe Mon Beqiri, dëshmitar i drejtpërdrejtë i asaj që sot kujtohet si një nga krimet më të rënda ndaj popullatës civile shqiptare pas luftës.
Në mesnatën e 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, bandat kriminale serbe kryen një masakër ndaj qytetarëve shqiptarë të Mitrovicës.
Kriminelët serbë vranë 10 shqiptarë, plagosën shumë të tjerë dhe dëbuan rreth 12 mijë banorë nga veriu i qytetit. Qëllimi ishte i qartë: spastrim etnik i asaj pjese të Mitrovicës nga shqiptarët.
Dhe krejt kjo vetëm shtatë muaj pas përfundimit të luftës. Përballë asaj që shteti serb kishte bërë, qytetarët e Mitrovicës u detyruan të revoltoheshin. Jo për dhunë por për mbijetesë në pronat e tyre.
Gjithçka që po ndodhte u pasqyrua nga Radiotelevizioni i Kosovës. Gazetarët që raportuan në atë kohë e dinin se kishte ndodhur masakër dhe se shumë shqiptarë ishin plagosur e mijëra të tjerë ishin dëbuar.
Njëri prej tyre ishte edhe gazetari i RTK-së, Mon Beqiri, si dëshmitar i drejtpërdrejtë i ngjarjeve tragjike.
“Ajo që ndodhi ishte një krim i paparë. Nisi me dëbimin e shqiptarëve, që nga varrezat myslimane, e deri te rastet kur kam parë të plagosur tha Mon Beqiri, ish-gazetar i RTK-së
Beqiri sikur e kishte kuptuar më herët se diçka e rëndë do të ndodhte. ” Vendosja e KFOR-it francez në urën e Ibrit dhe gjembat që i ka vendos ka fol shumë. Ka qenë një dëshmi se këtu diçka po ndryshon, pavarësisht se ne menduam se e fituam lirinë, megjithatë me vendosjen e KFOR-it francez u vu një barrierë e tërësisë territoriale të Kosovës…”, tha Beqiri.
Ai flet edhe për mos reagimin e KFOR-it ndaj kriminelëve në atë periudhë kur kishte ndodhur masakra.
“Gra, fëmijë, pleq vetëm i shihnim që nga një ushtarë i përcillte vetëm sa me i qitë këndej. Edhe iu kishin thanë ushtarët francezë që nuk kem mundësi me ju mbrojttë, ecni. Edhe ata kanë qenë pjesëmarrës në zhbërjen e asaj pjese të Mitrovicës me ardhur këndej…” tha Balaj.
26 vjet më parë, në Kosovën e pasluftës, masakra e shtetit serb mbi popullatën civile shqiptare përbënte një nga tragjeditë më të mëdha, të ndodhura më 3 dhe 4 shkurt të vitit 2000.
