Universiteti i Prizrenit nderon ish-rektorin Zahadin Shemsedini
Me një mbledhje përkujtimore, u nderua ish-rektori i Universitetit të Prizrenit, Zahadin Shemsedini, i cili një jetë ia kushtoi edukimit, shkencës dhe arsimit në vend.
Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren, mbajti mbledhje përkujtimore, me rastin e vdekjes së ish-rektorit dhe akademikut Zahadin Shemsedini, që shquhet si vlerë në edukimin e brezave të rinj.
“Humbja e tij është e rëndë jo vetëm për familjen dhe miqtë, por edhe për universitetin tonë, për komunitetin akademik, si dhe shoqërinë në tërësi. Profesor Shemsedini ishte një intelektual i përkushtuar, një pedagog i devotshëm dhe udhëheqës vizionar”, tha Mentor Alishani, rektor i UPZ.
“Prizreni u bë më i varfër për një njeri të madh, për një personalitet i cili ishte i përmbushur me virtytet më të larta njerëzore”, theksoi Rexhep Osmani.
Universiteti i Prizrenit i ndau familjes së tij mirënjohje Post Mortum, për kontributin që dha gjatë gjithë jetës në fushën e arsimit.
