Intimidimi kibernetik
Shkruan: Besart VLLAHINJA
Zhvillimi i përshpejtuar i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit ka ndryshuar rrënjësisht mënyrën e ndërveprimit social, të ndërtimit të identitetit të individit dhe të shpërndarjes së informacionit. Megjithatë, krahas këtyre përparimeve, është shfaqur një formë komplekse dhe e rrezikshme e dhunës sociale. Intimidimi apo bullizimi kibernetik. Ky fenomen përkufizohet si përdorimi i qëllimshëm dhe i përsëritur i mediave digjitale, për të indtimiduar individë të caktuar në rrafshin emocional, psikologjik ose social.
Nga pikëpamja teorike, intimidimi kibernetik përfaqëson një nga qasjet e ngacmimit tradicional, por me karakteristika strukturore që e intensifikojnë ndikimin e tij. Mungesa e kufijve kohorë dhe hapësinorë, anonimiteti relativ i agresorit dhe shpejtësia e përhapjes së përmbajtjes digjitale e bëjnë këtë formë dhune veçanërisht të vështirë për t’u kontrolluar. Për më tepër, përmbajtja denigruese ose komprometuese mund të mbetet e qasshme për një kohë të pacaktuar, duke e zgjatur ndikimin negativ ndaj viktimës.
Një aspekt thelbësor që ndërlidhet ngushtë me intimidimin kibernetik është fuqia e mediave sociale dhe nevoja për adresimin e njohurive për pasojat e përdorimit të tyre. Të gjithë individët, përfshirë edhe të rinjtë, duhet të jenë të ndërgjegjshëm se rrjetet sociale nuk janë hapësira private, por platforma publike me kapacitet të lartë për arkivim, shpërndarje dhe keqpërdorim të informacionit. Ndarja e pakontrolluar e detajeve personale, fotografive, videove apo mendimeve intime mund të shndërrohet lehtësisht në mjet për shantazh, fyerje, tallje, stigmatizim dhe intimidim kibernetik.
Hulumtimet në fushën e psikologjisë sociale tregojnë se të rinjtë shpesh i nënvlerësojnë të ashtuquajturat “gjurmë digjitale” dhe ndikimin afatgjatë që ato mund të ketë në jetën e tyre personale, akademike dhe profesionale. Në këtë kontekst, edukimi digjital duhet të përfshijë jo vetëm aftësitë teknike, por edhe kuptimin kritik të rreziqeve që lidhen me ekspozimin në botën virtuale digjitale dhe menaxhimin e privatësisë.
Kodi Penal i Republikës së Kosovës nr. 06/L-074, tek neni 182 ka sanksionuar si vepër penale “ngacimimin” dhe ka kualifikuar disa forma dhune e ngacmimi por që shprehimisht nuk ka përmendur intimidimin kibernetik, i cili është formë e veçantë e ngacmimit. Në ligjin nr. 08/L -188 për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit Nr. 06/L-074 Penal i Republikës së Kosovës, janë definuar edhe shumë forma të tjera të veprave penale të cilat konsumohen me abuzimin që mund të bëhet përmes sistemeve kompjuterike, por nuk trajtohet specifikishit ngacmimi jo-seksual, përfshirë edhe intimidimin kibernetik.
Një mekanizëm juridik me rëndësi të veçantë në mbrojtjen e individëve nga pasojat e përmbajtjeve të dëmshme online është e drejta për t’u harruar (ang. right to be forgotten). Ky parim, i njohur në kuadër të legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale, u mundëson individëve të paraqesin kërkesat tek platformat të cilët kanë të lansuar apo përmbajnë të dhëna me përmbajtje personale, apo tek makinat e kërkimit (ang. Search engines) të largojnë indeksime specifike të të dhënave të cilat janë jorrelevante, të pasakta, të pavërteta, të panevojshme në relacion me periudhën kohore apo cënojnë dinjitetin e tyre.
Megjithatë, efektiviteti i këtij mekanizmi varet drejtpërdrejt nga niveli i ndërgjegjësimit të qytetarëve për ekzistencën dhe përdorimin e tij, si dhe nga bashkëpunimi i platformave digjitale me shtetet, institucionet dhe qytetaret e shteteve përkatëse.
Në aspektin shoqëror dhe institucional, lufta kundër intimidimit kibernetik kërkon një qasje gjithëpërfshirëse dhe multidisiplinare. Institucionet arsimore duhet të integrojnë edukimin për etikën digjitale, privatësinë dhe sigurinë në platformat online në kurrikulat arsimore, ndërsa rrethi familjar luan rol kyç në formimin e sjelljeve të përgjegjshme në botën digjitale. Gjithsesi, platformat e rrjeteve dhe mediave sociale mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë në krijimin e mekanizmave efektivë të raportimit, moderimit dhe mbrojtjes së përdoruesve.
Intimidimi kibernetik është një sfidë komplekse që ndërthur teknologjinë, psikologjinë, institucionet dhe strukturat shoqërore. Adresimi i tij nuk mund të realizohet vetëm përmes ndëshkimit, por kërkon rritje të vetëdijes kolektive për fuqinë dhe rreziqet e mediave sociale, përdorim të kujdesshëm të të dhënave personale dhe njohje të të drejtave digjitale. Vetëm përmes një kulture digjitale të përgjegjshme dhe të informuar mund të ndërtohet një hapësirë virtuale digjitale që respekton dinjitetin, privatësinë dhe mirëqenien e çdo individi.
