Rama koordinon veprimet për vlerësimin e dëmeve pas vërshimeve të janarit
Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, së bashku me Drejtorin për Siguri dhe Emergjenca dhe anëtarët e Komisionit të Kryeqytetit për Vlerësimin e Dëmeve, kanë zhvilluar një takim koordinues me Komisionin Qendror për Vlerësimin e Dëmeve, në kuadër të vizitës zyrtare të këtij komisioni në Prishtinë.
Takimi u realizua në përputhje me kompetencat ligjore që burojnë nga Ligji Nr. 04/L-027 për Mbrojtje nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësitë Tjera, si dhe Rregullorja (QRK) Nr. 17/2015 për Metodologjinë e Vlerësimit të Dëmeve, pas vërshimeve të shkaktuara nga reshjet e shiut dhe borës gjatë muajit janar.
Qëllimi kryesor i këtij takimi ishte njoftimi dhe koordinimi i drejtpërdrejtë me komisionet komunale lidhur me procesin e vlerësimit të dëmeve në ekonomitë familjare, sektorin e bujqësisë, bizneset dhe infrastrukturën publike, me synim që procesi të zhvillohet në mënyrë të drejtë, të saktë dhe të unifikuar.
Me këtë rast, u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe respektimit të plotë të procedurave ligjore, në mënyrë që vendimmarrja për kompensimin e dëmeve të jetë e bazuar në vlerësime profesionale dhe transparente.
Kryeqyteti ka riafirmuar përkushtimin e tij për një proces të hapur, profesional dhe të bazuar në ligj duke garantuar koordinim të plotë institucional në funksion të mbështetjes së qytetarëve të prekur nga fatkeqësitë natyrore.
Bashkëpunimi ndërinstitucional mbetet kyç për reagim efikas dhe mbrojtje të interesit publik. /Kosova.info/
