Atanackoviq: Vetëm një Serbi evropiane mund të dalë nga kriza politike

Ndërsa Serbia përballet me një krizë politike gjithnjë e më të thelluar dhe me modele gjithnjë e më të theksuara autoritare të pushtetit, protestat studentore dhe qytetare po hapin hapësirë për ndryshime dhe pritshmëri të reja politike në vitin 2026, deklaroi për RTK shkrimtari dhe aktivisti Dejan Atanackoviq.

Në intervistë, ai vlerësoi se pa një orientim të qartë evropian dhe pa normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, Serbia nuk ka një të ardhme demokratike të qëndrueshme.

Shkrimtari dhe aktivisti Dejan Atanackoviq vlerësoi për RTK se sistemi politik në Serbi sot mban shenja të një regjimi thellësisht destruktiv, por se protestat studentore dhe qytetare kanë hapur hapësirë për ndryshim dhe pritshmëri më të qarta për periudhën që vjen.

Sipas tij, studentët e kanë shënuar vitin e kaluar jo vetëm me masivitetin e protestave, por edhe me përmbajtjen e mesazheve që i kanë dërguar shoqërisë.

“Studentët kanë përcjellë disa mesazhe jashtëzakonisht të rëndësishme dhe të fuqishme. Ishte një vit në të cilin u shënua mjaft qartë mundësia e ndryshimit, mundësia e racionalitetit politik, tolerancës dhe pajtimit. Të gjitha këto janë, në këtë moment, mundësi reale,” tha Atanackoviq.

Duke folur për natyrën e pushtetit aktual, Atanackoviq vlerësoi se Serbia po përballet me një regjim seriozisht të rrezikshëm.

“Arsyeja pse sot flasim për mundësi ndryshimi qëndron në faktin se në pushtet kemi një regjim të rrezikshëm, madje mund të thuhet monstruoz, duke pasur parasysh gjithçka që është konfirmuar gjatë periudhës së kaluar. Njëkohësisht, ekziston edhe një konsensus i gjerë shoqëror për mosballafaqimin me problemet kyçe, para së gjithash me të kaluarën dhe me të tashmen që buron prej saj,” theksoi ai.

Atanackoviq nënvizon se protestat nuk ishin vetëm shprehje e pakënaqësisë shoqërore, por edhe tregues i pjekurisë politike të shoqërisë dhe i kapacitetit për një drejtim tjetër politik. Në këtë kontekst, siç thotë ai, përpara Serbisë po shtrohet gjithnjë e më qartë dilema: Evropë apo izolim.

“Besoj se çdo njeri që mendon racionalisht duhet të arrijë në përfundimin se nuk ekziston një Serbi tjetër përveç Serbisë evropiane. Nuk ekziston një Serbi tjetër që mund t’i kundërvihet këtij regjimi. Gjithçka tjetër ose është vetë regjimi, ose përfaqëson një lloj strategjie të vetëshkatërrimit. Fundja, edhe në Kushtetutë shkruan qartë se Serbia është një shtet evropian, por rruga e saj drejt Bashkimit Evropian është seriozisht e penguar,” theksoi Atanackoviq.

Politika e pajtimit dhe marrëdhëniet me Kosovën

Duke folur për drejtimet e mundshme të daljes nga kriza politike, Atanackoviq vlerëson se Serbia mund të përparojë vetëm nëse heq dorë nga politika e konflikteve territoriale dhe i kthehet politikës së pajtimit, e fokusuar në cilësinë e jetës së qytetarëve dhe normalizimin rajonal.

“Shpresoj që viti i ardhshëm të sjellë politika të reja, politika të pajtimit në vend të politikave të territoreve dhe politika në shërbim të njerëzve, e jo politika të sundimit mbi njerëzit, gjë që ka qenë karakteristikë si e këtij pushteti, ashtu edhe e pushteteve të mëparshme”, tha ai.

Ai theksoi posaçërisht se pa marrëdhënie normale dhe të mira me Kosovën nuk është e mundur të ndërtohet një Serbi demokratike dhe funksionale.

“Nuk mund të ketë Serbi cilësore dhe demokratike pa marrëdhënie normale dhe të mira me Kosovën. Dua t’u dërgoj një mesazh qytetarëve serbë në Kosovë se nuk duhet të mbështeten në këtë Serbi të sotme, ashtu siç nuk mund ta bëjnë as serbët në Serbi, por duhet të shpresojnë në potencialin demokratik të ndryshimeve dhe në politika të paqes dhe normalizimit, në interes të të gjithëve.”

Ai beson se në planin afatgjatë është e mundur të ndërtohen marrëdhënie paqësore dhe normale ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, në interes të të gjithë qytetarëve, përmes politikave që do t’i lënë pas konfliktet dhe ndarjet si burime të përhershme paqëndrueshmërie.

Uniteti i frontit proevropian

Si një nga çështjet kyçe politike në periudhën e ardhshme, Atanackoviq veçon mundësinë e ndërtimit të unitetit brenda bllokut proevropian në Serbi, veçanërisht në prag të zgjedhjeve të ardhshme.

Edhe pse mbështet entuziazmin që tregojnë studentët dhe qytetarët, ai paralajmëron për shfaqjen e demonizimit kolektiv të opozitës proevropiane, të cilën e konsideron veçanërisht të dëmshme.

“Nuk besoj se ekziston një opozitë që nuk është e orientuar drejt Evropës. Gjithçka që i kundërvihet këtij regjimi duhet të jetë proevropiane,” tha Atanackoviq.

Ai vlerëson se është legjitime që aktorë të ndryshëm politikë të garojnë në forma të ndryshme, por se çdo pjesë e besueshme dhe qartësisht proevropiane e frontit kundër regjimit është e domosdoshme.

“Do të doja të shihja mundësinë e një marrëveshjeje parazgjedhore ose paszgjedhore ndërmjet iniciativave studentore dhe partive proevropiane. Një marrëveshje e tillë do t’u hapte qytetarëve një gamë më të gjerë opsionesh politike dhe do t’u mundësonte të votojnë në përputhje me bindjet e tyre”, përfundoi Atanackoviq.

Go to TOP