Havolli: Kundërshtimi ndaj Lumir Abdixhikut ishte i orkestruar, por vota e fshehtë e konfirmoi legjitimitetin

Anëtari i KPLDK-së, Sokol Havolli ka reaguar pas Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës duke theksuar se kundërshtimi ndaj kryetarit Lumir Abdixhiku ka qenë i artikuluar dhe i orkestruar, por se procesi i votimit ka qenë plotësisht i lirë dhe demokratik.

Sipas Havollit, Abdixhiku ka marrë 55 për qind të votëbesimit të delegatëve në Kuvendin e LDK-së, një rezultat që, siç thotë ai, ka peshë të veçantë për shkak të rrethanave në të cilat është arritur. Ai ka përmendur se kjo fitore vjen pas një rezultati zgjedhor jo të mirë, nën presione të hapura ndaj delegatëve dhe aktivistëve nga grupe të interesit, si dhe në një votim real, e jo ceremonial.

Havolli ka theksuar se vota e fshehtë ishte elementi kyç i këtij procesi duke shtuar se pikërisht aty shumëkush ka tentuar të bëjë llogari të fshehta, por sipas tij, këto llogari nuk kanë funksionuar brenda LDK-së.

“55 për qind në kuti nuk është aklamacion. Aklamacioni është farsë. Vota e fshehtë është legjitimitet i fuqishëm”, ka deklaruar Havolli.

Ai ka vlerësuar se ky proces dëshmon se LDK e vendos lidershipin brenda strukturave të saj dhe jo jashtë tyre duke e cilësuar demokracinë e brendshme si një vlerë që pak parti politike në Kosovë e kanë.

Sipas Havollit, Kuvendi i LDK-së u karakterizua nga debat i hapur, një votëbesim me rrezik dhe një vendim i lirë i delegatëve, pa ndikim personal nga Abdixhiku dhe pa kalkulime të tij.

“Në fund, Lumir Abdixhiku nuk fitoi sepse ishte i pakontestueshëm, por fitoi sepse u testua dhe sepse nuk i frikësohet demokracisë”, ka përfunduar Havolli. /Kosova.info/

Go to TOP