Pas Kuvendit të LDK-së, kritika për legjitimitetin dhe sfidat e Lumir Abdixhikut

Pas zhvillimit të Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, analistë dhe aktivistë publikë kanë dhënë vlerësime të përziera për rezultatin dhe pozitën e kryetarit Lumir Abdixhiku. Procesi është cilësuar si demokratik, por mbështetja e ngushtë ka hapur debat për legjitimitetin politik dhe të ardhmen e partisë

Gjinovci: LDK shembull demokracie, por Lumiri kryetar i dobët

Rron Gjinovci ka deklaruar se LDK-ja mbetet shembull i demokracisë së brendshme për partitë në Kosovë, ndërsa ka shtuar se, për momentin, Lumir Abdixhiku është zgjidhja më e mirë për drejtimin e partisë. Megjithatë, sipas tij, kjo zgjidhje është e dobët. Gjinovci e ka kritikuar Abdixhikun si kryetar që, sipas tij, mbështetet nga “oligarkia në tentativë” dhe që ka dështuar të krijojë një kauzë të qartë opozitare.

Ai ka përmendur edhe rezultatin e votimit në Kuvend, ku 164 delegatë kanë votuar kundër dorëheqjes së Abdixhikut, ndërsa 136 pro duke e cilësuar këtë raport si problematik dhe tregues të përçarjes së brendshme në parti.

Muharremi: LDK demokratike, por rrezikon rrëshqitje në 7%

Edhe analisti Shenoll Muharremi ka vlerësuar se rezultati nuk përbën një fitore kredibile, ndonëse është plotësisht demokratik. Sipas tij, fakti që rreth 45 për qind e delegatëve kanë votuar kundër tregon mungesë të konsensusit të brendshëm.

Muharremi ka paralajmëruar se Abdixhiku duhet të tregojë kujdes të madh në veprimet e ardhshme, pasi mbështetja aktuale e tij përfaqëson vetëm një pjesë të vogël të elektoratit që LDK-ja ka marrë në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Ai ka theksuar se një qasje emocionale apo një veprim i gabuar mund ta çojë partinë në rënie të thellë elektorale.

Sipas Muharremit, sfida kryesore e kryetarit të LDK-së mbetet bashkimi i partisë, ndërtimi i kohezionit të brendshëm dhe integrimi i rreth 45 për qind të delegatëve që kanë votuar kundër tij duke shtuar se mungesa e këtij bashkimi ka qenë dështimi kryesor i Abdixhikut deri më tani. /Kosova.info/

Go to TOP