Arianit Koci paralajmëron protestë gjithëpopullore: 50 mijë reagime dhe nis organizimi

Arianit Koci ka paralajmëruar organizimin e një proteste gjithëpopullore duke thënë se gjendja sociale dhe ekonomike në vend është bërë e padurueshme dhe se qytetarët po përballen me mungesë perspektive dhe rritje të vazhdueshme të kostos së jetesës.

Përmes një reagimi publik, Koci theksoi se shumë qytetarë tashmë i kanë shkruar duke shprehur gatishmërinë për t’iu bashkuar një proteste të tillë duke shtuar se si pozita ashtu edhe opozita po sillen njësoj dhe janë larg halleve reale të qytetarëve.

“Gjendja është bërë e padurueshme. Perspektivë nuk po shihet. Pozitë e opozitë po sillen njësoj, larg halleve të qytetarëve. Në këtë varfëri, kulmi është shtrenjtimi i rrymës”, ka deklaruar Koci.

Ai ka bërë të ditur se protesta do të organizohet me kërkesa të qarta, me afat të saktë dhe me përgjegjësi të përcaktuar duke garantuar se çdo veprim do të zhvillohet në mënyrë të organizuar dhe brenda kornizave ligjore.

“Nëse kërkesat nuk përmbushen brenda afatit, reagimi qytetar do të vazhdojë i organizuar dhe brenda ligjit”, ka shtuar ai.

Koci u ka bërë thirrje qytetarëve të reagojnë për të dëshmuar seriozitetin e gatishmërisë për protestë duke vendosur si kusht minimal mbledhjen e 50 mijë reagimeve.

“Nëse bëhen 50.000 reagime, nisemi menjëherë me organizim dhe shpallje të kërkesave. Nëse nuk bëhen, presim deri sa të krijohet mbështetje e mjaftueshme”, ka theksuar ai duke shtuar se data e protestës do të vendoset në konsultim me qytetarët. /Kosova.info/

Go to TOP