Cakolli: KQZ-ja nuk mund të shpallë rezultatet pa kaluar afati 48-orësh për ankesa në QNR

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka theksuar se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk ka të drejtë të shpallë rezultatet përfundimtare pa u konsumuar afati 48-orësh për ankesa lidhur me procedurat e numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).

Sipas legjislacionit zgjedhor, subjektet politike dhe kandidatët kanë të drejtë të ankimojnë çdo shkelje të supozuar gjatë numërimit në QNR, brenda 48 orëve nga momenti i ndodhjes së saj. Cakolli sqaron se ankimimi i procedurave në QNR lidhet me ligjshmërinë procedurale dhe është i ndarë nga ankimi mbi ligjshmërinë e rezultateve përfundimtare.

“Çdo fazë e procesit zgjedhor, përfshirë edhe numërimin në QNR, nuk është e përjashtuar nga kontrolli ligjor. Çdo veprim që e bën të pazbatueshme të drejtën për ankesë përbën mohim të mjetit juridik të garantuar me ligj,” tha Cakolli.

Ai bëri thirrje që KQZ-ja të respektojë procedurat dhe të mos shpallë rezultatet pa lejuar përdorimin e plotë të të drejtës për ankesa nga subjekte të ndryshme politike. /Kosova.info/

Go to TOP