Dardanet në mars sfidojnë Finlandën në duelet vendimtare për Euro 2026
Kombëtarja e Kosovës në hendboll i luan në mars ndeshjet vendimtare të fazës së dytë dhe të fundit kualifikuese për Kampionatin Evropian të vitit 2026.
Tashmë është përcaktuar termini dhe vendi i zhvillimit të dy ndeshjeve me Finlandën.
Hendbollistet tona më 5 mars nga ora 17:30 luajnë ndaj Finlandës në Vantaa, në afërsi të Helsinkit.
Ndeshja zhvillohet në “Vantaa Energia Areena”, ndërsa vajzave tona u duhet përkrahja e bashkëatdhetarëve të shumtë në Finlandë.
Po me Finlandën, Kosova luan më 8 mars nga ora 17:15 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.
Kombëtarja jonë është në Grupin 1, ku bëjnë pjesë edhe Franca dhe Kroacia. Derisa Franca e Kroacia janë favorite të mëdha për pozitat një e dy, Kombëtarja jonë dhe Finlanda luftojnë për vendin e tretë, që po ashtu mund të sigurojë kualifikimin në Euro 2026. Dhe çdo gjë mund të vendoset në ndeshjet e marsit.
Ky cikël eliminator ka nisur në tetor, kur u luajtën dy xhirot e para. /Kosova.info/
