Dita e Doganës, vlerësohet roli i oficerëve doganorë në Kosovë
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Doganës, është vlerësuar roli i oficerëve doganorë të Kosovës për angazhimin dhe përkushtimin e tyre në sigurimin e funksionimit efikas të Doganës dhe mbrojtjen e interesit publik.
Në njoftimin e Doganës bëhet e ditur se drejtori Agron Llugaliu, shpërndau mirënjohje për oficerët doganorë në kuadër të një iniciative vlerësuese.
“Drejtori i Përgjithshëm vlerësoi rolin e tyre të përditshëm në garantimin e sundimit të ligjit dhe funksionimin efikas të institucionit, duke nënvizuar se iniciativa të tilla synojnë jo vetëm njohjen e meritave, por edhe motivimin e mëtejmë të stafit doganor për përmbushjen e përgjegjësive me standarde të larta profesionale”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, bëhet e ditur se me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Doganës 2026, e cila i kushtohet temës së përmbledhur në sloganin “Customs protecting society through vigilance and commitment”, Dogana e Kosovës është nderuar me certifikatë mirënjohjeje për shërbim të jashtëzakonshëm ndaj komunitetit ndërkombëtar doganor.
Certifikata është e nënshkruar nga Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Doganave, Ian Saunders.
