Kryeziu: Zgjedhjet fitohen me fytyrën e liderit, jo me fotografi prapa tij

Ismet Kryeziu nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar lidhur me rezultatin e zgjedhjeve duke theksuar se një nga problemet kryesore qëndron te mënyra se si partitë politike i prezantojnë kandidatët e tyre në garën elektorale.

Në një postim me tone reflektuese, Kryeziu kujton një thënie të gjyshit të tij: “Babgjyshi im ka qenë i pashkollë, ashtu si i gjithë brezi i tij. Megjithatë, mes shumë thënieve, thoshte: ‘Babo, latinët janë të m’rehtë.’”

Ai tregon se sot, një “latin” i ka thënë se problemi i rezultatit zgjedhor lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si kandidatët dalin në garë. Sipas tij, kryeministri Albin Kurti dhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, në fushatë paraqiten vetëm me fotografinë e tyre, pa figura të tjera pas tyre duke marrë kështu personalisht përgjegjësinë për garën dhe rezultatin.

Në anën tjetër, Kryeziu vlerëson se problemet kryesore janë te PDK dhe LDK, pasi Bedri Hamza dhe Lumir Abdixhiku nuk dalin në garë vetëm me imazhin e tyre, por me fotografi të tjera në sfond, gjë që sipas tij e zbeh mesazhin politik dhe identitetin e liderit.

“Derisa këto parti të mos e kuptojnë se zgjedhjet fitohen me fytyrën e liderit, jo me fotografi prapa liderit, këto rezultate do të na përsëriten,” përfundon Kryeziu duke bërë thirrje për reflektim dhe ndryshim të qasjes në komunikimin politik dhe strategjinë zgjedhore. /Kosova.info/

Go to TOP