Rama: Arsimi i së ardhmes në Prishtinë po ndërtohet me dije, imagjinatë dhe bashkëpunim

Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, ka marrë pjesë sot në panelin me temën “Arsimi në 10 vitet e fundit”, të organizuar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Edukimit, ku u diskutua për transformimin dhe vizionin e arsimit në Prishtinë për dekadën e ardhshme.

Rama theksoi se e ardhmja e arsimit në Kryeqytet po ndërtohet mbi themele të forta të dijes, imagjinatës dhe bashkëpunimit duke vënë në qendër nxënësit, prindërit si partnerë dhe mësimdhënësit si shtylla kryesore të ndryshimit.

“Sot e dëshmuam këtë vizion duke qenë pjesë e një paneli frymëzues, ku folëm për transformimin që po synojmë për brezat që vijnë. Kur nxënësit janë në qendër, prindërit partnerë dhe mësimdhënësit shtylla e ndryshimit, shkolla shndërrohet në forcën më të madhe të zhvillimit të qytetit”, u shpreh Rama.

Ky vizion u reflektua edhe përmes ekspozitës së nxënësve të shkollës “Elena Gjika”, të cilët prezantuan perspektivat e tyre për arsimin e së ardhmes përmes ideve kreative, ngjyrave dhe imagjinatës duke dëshmuar potencialin dhe talentin e gjeneratave të reja.

Kryetari Rama vlerësoi lartë angazhimin e nxënësve, mësimdhënësve dhe prindërve duke ritheksuar përkushtimin e Kryeqytetit për investime të vazhdueshme në arsim cilësor, infrastrukturë moderne dhe programe inovative, me synimin që Prishtina të shndërrohet në një qendër të dijes dhe zhvillimit të qëndrueshëm. /Kosova.info/

Go to TOP