KOSTT: Stabilizohet sistemi elektroenergjetik, ndalen reduktimet
Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike (KOSTT) ka njoftuar se gjendja në sistemin elektroenergjetik është stabilizuar, pas zbatimit të masave të koordinuara për balancimin e ngarkesës dhe përmirësimin e furnizimit me energji elektrike.
Sipas njoftimit, mungesat në furnizim nga KESCO janë kompensuar nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), me hyrjen në operim të bllokut B2. Kjo ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e stabilitetit të furnizimit, ruajtjen e integritetit të sistemit elektroenergjetik dhe ka mundësuar ndërprerjen e kufizimit të ngarkesës, përkatësisht reduktimeve të energjisë elektrike.
KOSTT u ka bërë thirrje të gjitha palëve pjesëmarrëse në tregun e energjisë që të respektojnë rregulloret në fuqi dhe të sillen me përgjegjësi, me qëllim të sigurimit të një operimi të qëndrueshëm dhe të sigurt të rrjetit elektroenergjetik.
Po ashtu, KOSTT ka theksuar se mbetet në gatishmëri të plotë dhe do të vazhdojë monitorimin e vazhdueshëm të sistemit duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme në përputhje me kompetencat ligjore. /Kosova.info/
