Berani: Abdixhiku duhet të vetëlargohet – LDK-ja ka humbur integritetin

Gazetarja dhe njëra nga iniciuesit e themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Evliana Berani, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit brenda partisë, duke kritikuar drejtpërdrejt lidershipin aktual.

Në reagimin e saj, Berani ka shprehur habi për kërkesën për votëbesim, duke ironizuar gjendjen në të cilën, sipas saj, është shndërruar LDK-ja. “Në çka është shndërruar LDK-ja, ky edhe votohet”, ka shkruar ajo.

Ajo ka shtuar se është mirë që fotografia pas kryetarit nuk pasqyron emocionet reale të situatës, duke theksuar se ish-presidenti dhe themeluesi i LDK-së, Ibrahim Rugova, “do të skuqej nga mungesa totale e integritetit dhe përgjegjësisë së liderit aktual”.

Berani ka kërkuar hapur largimin e Lumir Abdixhikut nga drejtimi i partisë, duke theksuar se ai duhet të vetëlargohet dhe të kërkojë falje për gjendjen në të cilën, sipas saj, e ka katandisur LDK-në.

“Shkurtpamësia falet, pafytyrësia jo”, ka përfunduar Berani reagimin e saj. /Kosova.info/

Go to TOP