Lladrovci: Rinumërimi në 28 komuna dëshmon se procesi zgjedhor ka dështuar

Ish-kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar pas vendimit për anulimin e rezultateve të numërimit të votave nga zgjedhjet nacionale të 28 dhjetorit dhe rinumërimin e tyre në 28 komuna duke thënë se ky zhvillim ka qenë i ditur dhe i pritur.

Sipas Lladrovcit, çështje ka qenë vetëm koha se kur “do t’i dilte tymi” procesit zgjedhor duke theksuar se tashmë po bëhet e qartë për të gjithë se ka mjegull në proces dhe mungesë të transparencës dhe zbatimit të ligjit.

Ai ka paralajmëruar se mënyra e zhvillimit të zgjedhjeve dhe vjedhjet e brendshme të votës kanë dëmtuar rëndë reputacionin e disa personaliteteve, të cilët sipas tij, për shkak të këtyre parregullsive, mund të mos marrin më pjesë kurrë në zgjedhje, jo për mungesë të mbështetjes qytetare, por për shkak të cenimit të imazhit të tyre publik.

Lladrovci ka vlerësuar se demokracia në Kosovë është e brishtë dhe po përballet me “sëmundje të dukshme”, veçanërisht në procesin zgjedhor, të cilin e cilësoi si më të ndjeshmin për funksionimin e shtetit. Sipas tij, vjedhja e votës dëmton çdo qytetar, pavarësisht nëse merr apo jo pjesë në zgjedhje, si dhe minon besueshmërinë e shtetit.

Ai ka rikujtuar se ka qenë kundër sistemit me lista me dhjetë kandidatë, pasi sipas tij kjo rrit mundësinë e ndikimit dhe manipulimit të votës. Lladrovci ka theksuar se mbi 50 për qind e qytetarëve nuk i votojnë të gjithë dhjetë kandidatët e listës, ashtu siç e parasheh ligji aktual.

Sipas tij, lideri i partisë duhet të jetë bartës i listës dhe i lidhur drejtpërdrejt me votën e subjektit politik, ndërsa sistemi zgjedhor duhet të reformohet në parimin “një votë – një kandidat”.

Në fund, Lladrovci ka deklaruar se rinumërimi i votave ka dëshmuar se edhe nëse ligji është i mirë, pa zbatim të drejtë dhe konsekuent nuk mund të ketë proces zgjedhor demokratik. Ai ka kërkuar veprim të menjëhershëm të institucioneve, hapa urgjent për digjitalizimin e votimit dhe ndryshime ligjore që do të garantonin integritetin e votës së qytetarëve. /Kosova.info/


Go to TOP