AUV tërheq nga tregu formulën për foshnje “Nidina Optipro 1” për shkak të pranisë së substancës Cereulide
Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinarisë (AUV) ka njoftuar opinionin publik se, bazuar në një alarm të pranuar nga Sistemi i Paralajmërimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqimin për Kafshë (RASFF), me numër reference 2025.9962, është identifikuar prania e substancës Cereulide në formulën (qumështin) për foshnje Nestlé – Nidina Optipro 1 (600g).
Sipas njoftimit të AUV-së, produkti i prekur i takon lotit 52860346BB, ka origjinë nga Holanda dhe është importuar në Republikën e Kosovës nga kompania Nestlé Nederland BV.
AUV ka bërë të ditur se ka nisur menjëherë procedurat për bllokimin e këtij produkti në treg, ndërsa në vijim do të ndërmerren edhe veprimet për asgjësimin e tij, në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi për sigurinë ushqimore.
Agjencia u ka bërë thirrje qytetarëve që posedojnë këtë produkt të mos e përdorin dhe të ndjekin udhëzimet e institucioneve përgjegjëse.
Në fund, AUV ka theksuar se mbetet e përkushtuar në monitorimin e vazhdueshëm të tregut dhe të gjithë zinxhirit ushqimor, me qëllim që konsumatorëve në Republikën e Kosovës t’u garantohet ushqim i sigurt dhe i shëndetshëm. /Kosova.info/
