Anton Quni distancohet nga manipulimi i votave në Prizren: Rritja e votave u bë pa dijeninë time
Deputeti Anton Quni ka reaguar publikisht lidhur me raportimet për parregullsi gjatë procesit të numërimit të votave në Qendrën e Numërimit në Prizren duke u distancuar qartë nga çdo formë manipulimi dhe duke e cilësuar atë si veprim kriminal.
Në një deklaratë për media dhe opinionin publik, Quni thekson se çdo rritje e votave në emrin e tij është bërë pa dashjen dhe pa dijeninë e tij duke nënvizuar se nuk ka kërkuar, inkurajuar apo asistuar në asnjë mënyrë devijimin e vullnetit të qytetarëve.
“Ngritja artificiale e votave nuk përfaqëson mbështetjen time reale dhe as parimet e mia njerëzore. Përmes këtij operacioni kriminal më është njollosur personaliteti dhe karriera,” deklaron Quni duke shtuar se përfshirja e emrit të tij në skema të tilla përbën një goditje të rëndë për dinjitetin dhe besueshmërinë e ndërtuar ndër vite.
Ai kërkon që institucionet e drejtësisë të zbardhin motivet dhe prapavijën e këtij rasti duke shtruar pyetje të drejtpërdrejta: pse është zgjedhur emri i tij për manipulim dhe kush janë urdhërdhënësit dhe ekzekutorët në Qendrën e Numërimit.
Quni u ka kërkuar ndjesë publike kolegëve kandidatë, votat e të cilëve mund të jenë tjetërsuar në favor të tij duke theksuar se gara zgjedhore duhet të jetë e drejtë dhe çdo votë duhet t’i takojë atij që e ka fituar me meritë.
Në fund, ai deklaron gatishmëri të plotë për bashkëpunim me Policinë, Prokurorinë dhe çdo institucion tjetër relevant për zbardhjen e plotë të skandalit.
“E vërteta është mbrojtja ime e vetme,” përfundon deklaratën e tij Anton Quni. /Kosova.info/
