Sadiku: Rënia e popullsisë dhe rritja e importit po e çojnë Kosovën drejt vetshkatërrimit ekonomik

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ermal Sadiku, ka ngritur alarmin për atë që e quan problem thellësisht struktural të ekonomisë së Kosovës duke u bazuar në dy grafika që, sipas tij, e tregojnë qartë drejtimin e gabuar në të cilin po shkon vendi.

Sadiku thekson se Kosova po përballet njëkohësisht me rënie të vazhdueshme të popullsisë dhe me rritje të thellë të deficitit tregtar, një kombinim që, sipas tij, nuk ekziston në asnjë ekonomi funksionale.

“Në çdo ekonomi normale, rënia e popullsisë do të sillte edhe rënie të importit: më pak njerëz, më pak konsum dhe më pak presion mbi bilancin tregtar. Por në Kosovë po ndodh e kundërta, popullsia po bie, ndërsa importi po rritet,” ka deklaruar Sadiku.

Ai ka kritikuar ashpër qasjen e Qeverisë duke thënë se në prag të zgjedhjeve po krijohet një iluzion mirëqenieje përmes shpërndarjes së parave publike në formë subvencionesh dhe ndihmash sociale.

“Gjithçka duket bukur në prag të zgjedhjeve. Qeveria del me lëmosha për studentë, fëmijë e pleq. Disa euro këtu, një subvencion aty, pak propagandë e shumë kamera,” ka thënë deputeti i LDK-së.

Sipas Sadikut, kjo nuk përbën politikë të mirëfilltë sociale, por është vetëm një mënyrë për të blerë kohë me para që ekonomia e Kosovës nuk i prodhon.

“Kjo nuk është politikë sociale. Kjo është blerje kohe me para që shteti nuk i prodhon. T’i japësh para një ekonomie që nuk prodhon është si t’i japësh qetësues një pacienti që ka gjakderdhje të brendshme,” është shprehur ai.

Në fund, Sadiku ka përdorur një ton të ashpër politik duke paralajmëruar se vazhdimi i kësaj qasjeje do të ketë pasoja afatgjata për shtetin.

“Ironia më e madhe është se duke e mbajtur pushtetin, po e shkatërrojnë shtetin,” ka përfunduar Sadiku. /Kosova.info/

Go to TOP