LDK pas 28 dhjetorit: Një parti, tri rrugë, një krizë

Shkruan: Ilir KRASNIQI

Pas procesit zgjedhor, LDK ndodhet në një fazë të thellë krize politike dhe organizative ku përgjegjësia për rezultatin zgjedhor të 28 dhjetorit është kthyer në çështjen qendrore të debatit të brendshëm. Kjo krizë e konfirmuar nga ana e vetë zyrtarëve të lartë të këtij subjekti duket se është kthyer edhe në një lojë brenda fushës së këtij subjekti. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku në një takim me nënkryetarët e partisë është shprehur se e sheh si obligim moral dhe politik të marrë përgjegjësinë dhe të shtrojë tutje organizimin politik të partisë që udhëheq duke bërë të ditur se do ta ofrojë dorëheqjen te Kuvendi i LDK-së. Me këtë qëndrim Abdixhiku e paraqet veten si kryetar që respekton procedurat dhe kërkon që vendimi final të merret nga organi më i lartë i partisë. Mirëpo me këtë qasje ai synon të shmangë perceptimin e dorëheqjes nën presion, ta ruajë kontrollin e procesit të tranzicionit dhe të lërë hapësirë që Kuvendi të vendosë nëse do ta konfirmojë ose jo largimin e tij.

Ndërkohë që Hykmete Bajrami ka ofruar dorëheqjen e parevokueshme nga posti i nënkryetares së LDK-së dhe se ka kërkuar dorëheqjen e parevokushme të Lumir Abdixhikut nga pozita e kryetarit të partisë si standard i vendosur nga vetë LDK-ja. Në këtë mënyrë ajo ka zgjedhur një qasje shumë më të drejtpërdrejtë dhe konfrontuese politikisht. Dorëheqja e saj e parevokueshme dhe kërkesa për dorëheqje të menjëhershme të Abdixhikut e vendosin atë në rolin e një figure që kërkon rikthimin e “standardit moral” të LDK-së, sinjalizon pakënaqësi të thellë me mënyrën se si po menaxhohet përgjegjësia politike duke tentuar të pozicionohet si zë i reformës së brendshme Një veprim i tillë e presionin publik dhe të brendshëm ndaj kryetarit.

Ishte edhe anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka paralajmëruar dorëheqjen e tij nga organet drejtuese nëse lidershipi i kësaj partie nuk merr përgjegjësinë që i takon për rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025.Ai rikujtoi se standardi i dorëheqjes pas rezultatit të dobët zgjedhor është vendosur në vitin 2021 nga vetë ai dhe çdo përpjekje për ta shmangur këtë standard sipas tij është në kundërshtim të hapur me parimet që vetë lidershipi aktual i ka shpallur si vlera udhëheqëse. Me këtë qëndrim Hoti paraqitet si figurë që flet nga pozita e parimit dhe precedentit historik. Ai kujton standardin e vitit 2021 dhe paralajmëron dorëheqjen e tij nëse nuk hapet rruga për lidership të ri. Mesazhi i tij është i qartë se problem nuk është vetëm Abdixhiku, por mungesa e një reformimi të thellë, ndryshe LDK-ja rrezikon humbje të mëtejshme të besimit qytetar. Vetë thirrja e Kuvendit do të jetë një moment vendimtar rreth caktimit të dorëheqjes apo jo të Abdixhikut dhe caktimit të udhëheqjes së përkohshme ose të refuzohet duke i dhënë atij një mandat të kufizuar për riorganizim. Ajo që mund të pritet është nëse pranohet linja e Bajramit dhe Hotit, LDK-ja do të hyjë në garë të hapur për kryetar të ri dhe riformatim të kryesisë dhe strukturave lokale. Por këto zhvillime mund edhe të thellojnë përçarjet e brendshme. Nëse procesi mbahet i mbyllur ose i kontrolluar nga një grup i caktuar, ekziston rreziku i ndarjeve të brendshme: largimit të figurave të rëndësishme dhe dobësimit të mëtejmë politik. Kjo sepse këto deklarata nuk janë thjesht reagime ndaj një humbjeje zgjedhore, por simptomë e një debati të thellë për drejtimin, identitetin dhe të ardhmen e LDK-së. Brenda këtyre deklaratave mund të lexohet një lojë e shumëfishtë politike, jo thjesht reagim spontan ndaj humbjes zgjedhore. Ajo që po ndodh në LDK është një përplasje për kontrollin e narrativës, kohës dhe drejtimit të partisë. Kreu aktual Abdixhiku realisht nuk ka bërë dorëheqje faktike pasi vendimin e shtynë te Kuvendi gjë që mund të interpretohet si një lëvizje klasike për një lëvizje klasike për fitim kohe dhe mobilizim të strukturave që ende e mbështesin. Në këtë kuptim, ai po thotë: “Unë marr përgjegjësi, por nuk largohem pa vendim kolektiv”. Kjo i jep atij ende rol qendror në proces. Nga ana tjetër vetë dorëheqja e parevokueshme e Bajramit është një akt presioni politik i llogaritur, jo thjesht moral. Me këtë ajo po e sfidon Abdixhikun publikisht duke krijuar kapital politik për veten si figurë parimore. Kjo është edhe një pozicionim për garë të ardhshme, nëse hapen zgjedhjet e brendshme. Ndërsa Hoti ka zgjedhur të luajë me kartën e legjitimitetit historik dhe statutor. Duke përmendur vitin 2021, ai ua vështirëson figurave aktuale justifikimin për të qëndruar duke ruajtur imazhin e tij si “ruajtës i standardeve”. Paralajmërimi i dorëheqjes së tij është edhe kërcënim i heshtur për fragmentim, nëse nuk ndodh ndryshimi. Edhe pse në dukje të parë të tre flasin për “përgjegjësi” duke padorë fjalë ndryshe, megjithatë kjo tregon një betejë për të dominuar diskursin publik, sepse kush fiton narrativën, fiton edhe bazën partiake.

Thirrja e Kuvendit të LDK-së pritet të jetë vendimtare për fatin e Abdixhikut dhe drejtimin e ardhshëm të partisë. Zhvillimet aktuale tregojnë se LDK ndodhet përballë një zgjedhjeje mes tranzicionit të kontrolluar dhe ndryshimit të menjëhershëm, me rrezik për përçarje, por edhe me mundësi për riformatim të plotë të saj.


Go to TOP