Demelezi në Berlin takon homologun kroat: Thellohet bashkëpunimi në bujqësi dhe siguri ushqimore

Ministri në detyrë i Bujqësisë, i Pylltarisë dhe i Zhvillimit Rural, Imri Demelezi, gjatë pjesëmarrjes në Forumin Global për Ushqim dhe Bujqësi (GFFA) në Berlin, zhvilloi një takim miqësor me ministrin e Bujqësisë të Kroacisë, David Vlajčić.

Gjatë takimit, ministrat diskutuan për forcimin e bashkëpunimit bilateral në fushën e bujqësisë, sigurisë ushqimore dhe zhvillimit rural duke shkëmbyer përvoja dhe praktika të mira ndërinstitucionale.

“Me ministrin kroat Vlajčić shkëmbyem përvoja dhe theksuam ndikimin pozitiv të bashkëpunimit ndërinstitucional, veçanërisht në kontekstin e proceseve integruese evropiane. Po ashtu, diskutuam për rëndësinë e promovimit të produkteve tradicionale dhe zhvillimit të agroturizmit si mundësi për krijimin e vlerës së shtuar në zonat rurale”, theksoi ministri Demelezi.

Në përmbyllje të takimit, të dy ministrat u pajtuan që bashkëpunimi i ndërsjellë të konkretizohet përmes projekteve dhe iniciativave që sjellin përfitime të drejtpërdrejta për fermerët, industrinë agroushqimore dhe zhvillimin e qëndrueshëm rural në vendin tonë. /Kosova.info/


Go to TOP