Dorëheqje në letër, pozitë në dorë
Shkruan: Mentor BARANI
Postimi i Lumir Abdixhikut si kryetar i LDK-së tenton të krijojë përshtypjen e përgjegjësisë morale dhe dinjitetit politik, por realiteti zgjedhor e rrëzon këtë narrativë. Brenda vetëm një viti, nën udhëheqjen e tij, LDK-ja ka përjetuar tri humbje të rënda zgjedhore, të cilat nuk mund të mbulohen me retorikë për “ofrim dorëheqjeje” apo thirrje për qetësi partiake.
Në zgjedhjet e shkurtit, LDK-ja përfundoi partia e tretë duke humbur rolin e saj tradicional politik. Në zgjedhjet lokale të po atij viti 2025, humbi dy bastione historike, Obiliqin dhe Fushë Kosovën, komuna që për dekada kanë qenë simbol i strukturës dhe fuqisë organizative të LDK-së. Ndërsa në zgjedhjet e 28 dhjetorit, humbja u thellua edhe më shumë: mbi 40 mijë vota më pak krahasuar me shkurtin dhe vetëm 15 deputetë, një rezultat që për LDK-në përbën goditje serioze politike.
Në këtë situatë, dallimi mes “ofrimit të dorëheqjes” dhe “dorëheqjes së parevokueshme” është thelbësor. Ofrimi është gjest retorik dhe i kushtëzuar; dorëheqja është akt politik dhe përgjegjësi reale. Kur një kryetar dështon tri herë radhazi, përgjegjësia nuk mund të mbetet në formë deklarative dhe as të transferohet te Kuvendi si alibi.
Kjo qasje nuk është e re për LDK-në. Historia e saj është dëmtuar rëndë nga e njëjta “matematikë politike”, ku udhëheqësit, të dashuruar në vetveten dhe në rolin e tyre, kanë zgjedhur të ruajnë pozitën duke e paketuar atë si parim. Rasti i ndarjes së LDD-së dhe protagonizmi politik i asaj kohe, me pasoja afatgjata për partinë, mbetet një paralajmërim i qartë.
LDK-ja është institucion dhe si e tillë kërkon vendime të qarta, përgjegjësi të pakushtëzuar dhe ndryshim real. Pa këtë, çdo fjalë për standarde, dinjitet dhe shtëpi partiake mbetet vetëm retorikë, ndërsa humbjet vazhdojnë të grumbullohen mbi kurrizin e anëtarësisë dhe elektoratit.
Tri humbje zgjedhore brenda një viti, humbja e dy bastioneve historike dhe mbi 40 mijë vota më pak nuk mbulohen me “ofrim dorëheqjeje”. Ofrimi nuk është dorëheqje. Kur dështimi përsëritet, përgjegjësia nuk mund të jetë retorike. LDK-së i duhet ndryshim real, jo matematikë politike që e kemi parë dhe paguar shtrenjtë edhe më parë./Kosova.info/
