IKSHPK: Në shumicën e rajoneve uji i pijshëm brenda standardeve, disa zona ende me ndalesë për konsum

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka publikuar përditësimin e radhës lidhur me situatën e ujit të pijshëm në Kosovë, me datë 12 janar 2026 duke bërë të ditur se në pjesën më të madhe të vendit cilësia e ujit është brenda standardeve të lejuara për konsum, ndërsa në disa zona ende nuk rekomandohet përdorimi i tij për pije për shkak të turbullirës së lartë.

Sipas IKSHPK-së, në rajonin e Prishtinës, cilësia e ujit në fabrikat për trajtimin e ujit në Shkabaj, Badoc dhe Batllavë është brenda standardeve të lejuara. Edhe në Lipjan dhe Kuzmin uji konsiderohet i sigurt për konsum. Në Drenas/Bivolak, megjithëse fabrika po operon me kapacitet të zvogëluar, cilësia e ujit mbetet brenda standardeve. Ndërkaq, në Vragoli dhe Miradi e Poshtme, uji nuk rekomandohet për pije.

Në rajonin e Mitrovicës, në Mitrovicë, Vushtrri, Skenderaj, si dhe në komunat veriore, cilësia e ujit është vlerësuar si e përshtatshme për konsum.

Në rajonin e Ferizajt, uji në qytetin e Ferizajt është brenda standardeve për ujë të pijshëm, ndërsa në Han të Elezit, për shkak të nivelit të lartë të turbullirës në ujësjellësin qendror me burim në Dimcë, uji rekomandohet vetëm për nevoja teknike dhe jo për pije.

IKSHPK njofton se në rajonin e Gjilanit, uji në qytetin e Gjilanit është i sigurt për konsum, ndërsa rezervuarët Prilepnicë dhe Bajë paraqesin parametra fiziko-kimikë brenda standardeve të parapara. Edhe në Kamenicë dhe Viti, cilësia e ujit mbetet brenda kufijve të lejuar.

Në rajonin e Pejës, uji në Pejë, Istog dhe zonën Vrellë/Istog është brenda standardeve për ujë të pijshëm, ndërsa në Junik situata paraqitet stabile. Në Mbivada, Deçan dhe Klinë, për shkak të turbullirës së rritur, uji nuk rekomandohet për pije dhe përdoret vetëm për qëllime teknike.

Në rajonin e Gjakovës, furnizimi me ujë nga rrjeti i KRU Gjakova konsiderohet i sigurt për konsum, ndërsa në lokalitetet Hoçë e Madhe, Opterushë, Zaqishtë, Demjan dhe Gërçinë janë evidentuar vlera të rritura të turbullirës duke e bërë ujin të papërshtatshëm për pije.

Sa i përket rajonit të Prizrenit, burimi i ujit nga “40 bunarët” në qytetin e Prizrenit është brenda standardeve të lejuara për ujë të pijshëm. Megjithatë, në Suharekë vazhdojnë problemet e furnizimit në fshatrat e përmbytura Semetisht, Studençan dhe Nëpërbisht, ndërsa pjesa tjetër e furnizimit përmes KRU Hidroregjioni Jugor po zhvillohet normalisht. Në Malishevë, për shkak të rritjes së turbullirës, uji përdoret vetëm si ujë teknik, ndërsa në Dragash cilësia e ujit është brenda standardeve të lejuara.

IKSHPK u bën thirrje qytetarëve në zonat ku uji nuk rekomandohet për pije që të respektojnë udhëzimet dhe të përdorin ujin vetëm për nevoja teknike deri në përmirësimin e gjendjes. /Kosova.info/

Go to TOP