Pozhari: Sulmet ndaj Abdixhikut pas humbjes së LDK-së nuk janë fer, elektorati e preferon bashkëpunimin me VV-në
Analisti politik Xhevdet Pozhari ka reaguar ndaj kritikave të ashpra që po i bëhen kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhikut, pas rezultatit të dobët zgjedhor duke i cilësuar ato si të padrejta dhe të motivuara politikisht.
Pozhari thekson se ai vetë e ka kritikuar Abdixhikun në kohën kur, sipas tij, kishte hapësirë për t’i korrigjuar gabimet, por se tani, pas asaj që e quan “debakël” të LDK-së, sulmet e vazhdueshme nuk janë të drejta.
“E kam kritikuar Lumirin kur kishte kohë t’i korrigjonte veprimet. Tash, kur LDK pësoi debakël, po i mëshojnë pamëshirshëm. Kjo nuk është fer, veçanërisht kur sulmet i vijnë nga ata që i bënin presion mos të hyjë në Qeveri me Albin Kurtin”, ka deklaruar Pozhari.
Sipas tij, problemi kryesor i Abdixhikut ka qenë ndjekja e një politike të paqartë, që ai e përshkruan si “as mish, as peshk” duke u mbështetur më shumë në iluzione të krijuara nga rrethi i tij sesa në realitetin politik.
“Aq sa fillove të mendosh se je ti ai që i ke 50 për qind, e jo që përfaqësoje partinë e tretë”, vlerëson analisti.
Megjithatë, Pozhari thekson se reflektimi politik nuk është kurrë i vonë, edhe pse pranon se në politikë mundësitë e dyta janë të rralla. Ai shton se, pavarësisht se kush do ta udhëheqë LDK-në në të ardhmen, një fakt mbetet i pandryshueshëm.
“Elektorati i LDK-së më parë e preferon bashkëpunimin me Vetëvendosjen sesa me këdo tjetër. Kushdo që nuk ia don të mirën LDK-së, e nxit të dalë kundër Albin Kurtit. E mandej dihet – ju sosë!”, përfundon Pozhari.
Reagimi i analistit vjen në një kohë kur brenda LDK-së janë shtuar debatet dhe akuzat për drejtimin e partisë pas humbjes zgjedhore duke e rikthyer në qendër të vëmendjes dilemën mbi orientimin politik dhe aleancat e ardhshme të kësaj force politike. /Kosova.info/
