Cakolli: Ligjet u rrëzuan jo për përmbajtje, por për shkelje të rënda procedurale – deputetët u shndërruan në “makineri votimi”
Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar pothuajse të gjitha ligjet e miratuara në seancën e 5 dhjetorit 2024, përfshirë edhe Ligjin për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, por jo për shkak të përmbajtjes së tyre, ka sqaruar Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).
Sipas Cakollit, asnjë nga ligjet e shpallura antikushtetuese nuk është rrëzuar për substancë. Gjykata Kushtetuese nuk është marrë fare me përmbajtjen e tyre, por i ka vlerësuar si antikushtetuese për shkak të shkeljeve serioze procedurale gjatë miratimit, të cilat kanë cenuar thelbin e funksionimit parlamentar.
Ai thekson se në disa raste komisionet parlamentare kanë qenë të obliguara të shqyrtojnë projektligje, amendamente dhe raporte brenda një kohe jashtëzakonisht të shkurtër, prej vetëm 5 deri në 20 minuta. Në raste të tjera, materialet për shqyrtim u janë shpërndarë deputetëve pasi seanca kishte nisur tashmë.
Konkretisht, për Ligjin për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, dokumentet u janë dërguar deputetëve rreth 21 minuta pas orarit zyrtar të fillimit të seancës plenare.
“Me këso afate, shqyrtimi real parlamentar është i pamundur. Deputetët nuk kanë kohë për lexim, debat apo vlerësim dhe roli i tyre reduktohet në një votim formal”, ka vlerësuar Cakolli.
Ai shton se një vit me përqindje rekord të ligjeve të miratuara nuk mund të konsiderohet sukses, nëse ky rezultat arrihet duke anashkaluar procedurat e rregullta parlamentare dhe standardet minimale të debatit ligjvënës.
Sipas tij, rëndësia kryesore e këtyre aktgjykimeve qëndron në vendosjen e një standardi të qartë kushtetues: procedurat parlamentare duhet të respektohen plotësisht, përveç rasteve vërtet emergjente.
“Çdo përpjekje për ta përmbyllur një sesion apo një vit me dhjetëra ligje të miratuara brenda një seance të vetme cenon parlamentarizmin, cilësinë e ligjeve dhe mandatin e deputetëve”, ka theksuar Cakolli duke përfunduar se deputetët janë ligjvënës dhe jo makineri votimi. /Kosova.info/
