Grupi pro-rus “Ujqërit e Natës”, forcat speciale e ministrat nga Serbia marrin pjesë në ditën jokushtetuese të RS-së

Autoritetet e Republikës Srpska shënuan më 9 janar të ashtuquajturën “Ditë të RS-së”, pavarësisht dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnje-Hercegovinës që e kanë shpallur këtë datë jokushtetuese dhe diskriminuese ndaj boshnjakëve dhe kroatëve.

Në sheshin e Banja Llukës u angazhuan rreth 800 policë, të cilët marshuan në një defile solemn, ndërsa aktiviteti përfshiu rreth 2.000 pjesëmarrës nga rreth tridhjetë organizata civile të Republikës Srpska dhe nga Serbia. Në mesin e tyre ishin edhe studentë, përfaqësues të shoqatave të veteranëve dhe organizata të ndryshme publike.

Vëmendje të veçantë tërhoqi pjesëmarrja e degës lokale të grupit pro-rus të motoçiklistëve “Ujqërit e Natës”, të njohur ndërkombëtarisht për lidhjet e ngushta dhe mbështetjen e hapur ndaj Kremlinit. Ata marshuan krah për krah me pjesëtarë të forcave të sigurisë së RS-së, duke i dhënë manifestimit një dimension të qartë politik dhe gjeopolitik.

Në defile morën pjesë edhe njësi speciale antiterroriste të Ministrisë së Punëve të Brendshme të RS-së, shkolla policore, si dhe përfaqësues të strukturave të mbrojtjes civile. U ekspozuan gjithashtu helikopterë rusë të tipit “ANSAT”, automjete të blinduara “Despot” dhe “Vihor”, duke e shndërruar ngjarjen në një demonstrim force.

Ceremoninë e ndoqën zyrtarë të lartë të RS-së, përfshirë anëtarë të presidencës dhe qeverisë entitetore, si dhe ish-udhëheqësi Milorad Dodik. Në Banja Llukë ishin të pranishëm edhe ministra dhe deputetë nga Serbia, të udhëhequr nga ministri serb i Kulturës, Nikola Selakoviq, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dërgoi një mesazh urimi, duke e quajtur 9 janarin “një nga datat më të rëndësishme për popullin serb”.

Më herët gjatë ditës, në Katedralen e Krishtit Shpëtimtar u mbajt një liturgji e udhëhequr nga patriarku serb Porfirije, çka forcoi edhe më tej karakterin politik dhe etno-fetar të shënimit.

Data 9 janar lidhet me shpalljen e “Republikës së popullit serb në Bosnje dhe Hercegovinë” në vitin 1992, ngjarje që për boshnjakët dhe kroatët simbolizon fillimin e luftës, gjatë së cilës u krye gjenocidi në Srebrenicë dhe krime të tjera të rënda.

Gjykata Kushtetuese e Bosnje-Hercegovinës ka vendosur dy herë se shënimi i kësaj date shkel Kushtetutën dhe është diskriminues në një shoqëri multietnike. Sipas ndryshimeve në Kodin Penal të Bosnje-Hercegovinës të vitit 2023, mosrespektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese mund të dënohet me burg dhe ndalim të ushtrimit të funksioneve publike. Megjithatë, deri më tani askush nuk është sanksionuar, ndonëse Prokuroria e Bosnje-Hercegovinës ka konfirmuar se ekziston një çështje e hapur lidhur me shënimet e mëparshme të 9 janarit.

Zyra e Përfaqësuesit të Lartë (OHR) ka deklaruar se shënimi i kësaj date përbën shkelje të qartë të rendit kushtetues dhe injorim të vendimeve përfundimtare të Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se 9 janari nuk përfaqëson kujtesë të përbashkët në një shtet multietnik. /REL

Go to TOP