AUV izolon 15 kilogramë djathë Mozzarella nga Italia, dyshime për aflatoksinë M1


Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) njofton opinionin publik se, në prani të zyrtarëve të saj dhe të palës përkatëse, si dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi, ka realizuar izolimin e një sasie prej 15 kilogramësh djathë Mozzarella Bufalo, për shkak të dyshimeve për praninë e mundshme të aflatoksinës M1.
Produkti është i prodhuar nga qumështi i buallicës me origjinë nga Italia, nga kompania Caseificio Coop. “La Contadina”, ndërsa është importuar në Kosovë nga kompania Premio SHPK, me seli në Sllatinë të Madhe. Sipas AUV-së, së shpejti do të fillojë edhe procesi i asgjësimit të këtij produkti, në përputhje me procedurat ligjore.
Ky veprim është ndërmarrë me qëllim të garantimit të sigurisë shëndetësore të konsumatorëve dhe respektimit të standardeve të cilësisë ushqimore në Republikën e Kosovës.
AUV thekson se, pavarësisht sfidave me mungesën e inspektorëve, mbetet e përkushtuar në monitorimin e vazhdueshëm të tregut dhe të gjithë zinxhirit ushqimor. Agjencia vazhdon të zbatojë masa parandaluese dhe kontrolluese, me synimin që qytetarëve t’u ofrohet ushqim i sigurt dhe i shëndetshëm.

Go to TOP