Rudi: Mbi 8 mijë vota janë obligim, jo fund i angazhimit tim politik
Kandidati për deputet nga radhët e LDK-së, Fetah Rudi ka reaguar publikisht pas rezultateve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit duke falënderuar mbi 8 mijë qytetarë që i dhanë votën e besimit, të cilat ai i cilëson si përgjegjësi të madhe dhe nder të veçantë, pavarësisht se nuk arriti të sigurojë një ulëse në Kuvend.
Në reagimin e tij, Rudi thekson se secila votë është dëshmi e vlerësimit për angazhimin e tij shumëvjeçar, punën e ndershme dhe qëndrimin konsekuent në politikë. Megjithatë, ai pranon se mbetet i zhgënjyer që kjo mbështetje e konsiderueshme nuk mjaftoi për t’u bërë pjesë e legjislativit, veçanërisht duke pasur parasysh sakrificat personale dhe gjendjen e tij shëndetësore gjatë fushatës.
Sipas Rudisë, kandidimi i tij nuk kishte motive personale, por ishte një përpjekje për të parandaluar, siç shprehet ai, një rrezik serioz për Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ai thotë se ekzistonte tendencë që LDK-ja të shtyhej drejt një koalicioni të papranueshëm me figura politike të kontestuara, të cilat në të kaluarën e kishin luftuar këtë parti. Një koalicion i tillë, sipas tij, do ta dëmtonte rëndë identitetin, besueshmërinë dhe vlerat themelore të LDK-së.
Rudi ka falënderuar kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për korrektësinë, komunikimin dhe përkrahjen duke theksuar se ai e kishte vlerësuar dhe mbështetur kundërshtimin e tij ndaj një koalicioni të tillë, në një takim të drejtpërdrejtë para zgjedhjeve.
Zhgënjimin më të madh, Rudi e shpreh në lidhje me Malishevën, vendlindjen e tij, ku, sipas tij, udhëheqësit lokalë të LDK-së bojkotuan plotësisht kandidaturën e tij. Ai thotë se kjo u reflektua drejtpërdrejt në rezultat duke shtuar se në Malishevë e votuan kryesisht ata qytetarë që nuk iu nënshtruan një koalicioni të dëmshëm në nivel lokal dhe që kundërshtonin një skenar të ngjashëm edhe në nivel qendror.
Në këtë kontekst, Rudi përjashton nga kritikat kolegun dhe mikun e tij, gjeneralin Gëzim Hazrollaj, për të cilin shpreh shpresën se rruga e tij politike në LDK nuk do të ndalet dhe se do ta ketë gjithmonë mbështetjen e tij.
Ai vlerëson se mungesa e mbështetjes në Malishevë nuk i shërbeu as interesit të LDK-së, as unitetit partiak dhe as vullnetit të qytetarëve duke shtuar se kjo gjendje shpjegon edhe rezultatin e dobët të partisë në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Sipas Rudisë, disa struktura lokale nuk e kanë betejën me partitë e tjera, por me njerëzit brenda LDK-së.
Në fund, Fetah Rudi thekson se do të vazhdojë të jetë aktiv dhe i përkushtuar politikisht edhe pa mandat deputeti duke nënvizuar se sakrificat e tij, përfshirë ato shëndetësore, kanë pasur dhe do të kenë gjithmonë një qëllim: mbrojtjen e interesit publik dhe dinjitetit politik.
“Besimi që më dhatë mbetet obligim,” përfundon ai reagimin e tij. /Kosova.info/
