Situata nga reshjet në rajonin e Prizrenit ka filluar të qetësohet

Në Prizren, niveli i ujërave në zonat e përmbytura ka filluar të bjerë, pasi edhe intensiteti i reshjeve është zvogëluar. Pas reshjeve të borës, të gjitha rrugët në rajonin e Prizrenit janë të kalueshme, por kërkohet kujdes te pjesëmarrësit në trafik për shkak të ngricave.

Situata nga reshjet atmosferike edhe në rajonin e Prizrenit ka filluar të qetësohet. Megjithatë, nga vërshimet e fundit kanë pësuar dëme shumë shtëpi e biznese. Sipas drejtoreshës për emergjenca dhe shpëtim Ramize Sinani Shala, një ditë më parë janë evakuuar katër familje, ndërsa është formuar komisioni komunal për vlerësimin e dëmeve.

Ndërkaq reshjet e borës kanë përfshirë gjithë rajonin e kësaj komune. Por, sipas drejtorit të shërbimeve publike Islam Ukimeri, të gjitha rrugët rurale dhe urbane në Prizren janë të kalueshme.

Sipas informacioneve nga terreni, nga menaxherë të mirëmbajtjes së rrugëve nacionalë në kuadër të ministrisë së infrastrukturës, në Dragash, Suharekë, e Rahovec, qarkullimi rrugor është duke u zhvilluar normalisht, megjithëse kërkohet kujdes i shtuar, pasi rënia e temperaturave ka bërë që rrugët të jenë më ngrica.


Go to TOP