Vërshimet në Klinë kanë përmbytur shtëpi, toka bujqësore e biznese
Vërshimet e shkaktuara nga reshjet e fundit kanë përmbytur shtëpi, toka bujqësore dhe biznese edhe në Klinë. Komuna ka ndërhyrë në terren, ku po monitoron situatën dhe ka formuar komisionin për vlerësimin e dëmeve.
Shtëpi banimi, toka bujqësore dhe biznese të përmbytura nga uji janë peizazhi që vjen nga Klina, si pasojë e vërshimeve të shkaktuara nga reshjet e fundit. Në fshatin Shtaricë të Klinës, disa banorëve u janë përmbytur shtëpitë nga uji, ndërsa të tjerët vazhdojnë të jenë të rrezikuar.
“Gjendja që po shihet është e pamundur me hy brenda, djemtë kanë hyrë me çizme qysh kanë mujtë dhe kanë fotografuar, situata brenda është tmerr,” tha Fidajete Tafilaj, banore e fshatit Shtaricë.
“Ditën po vijmë këtu në mbrëmje në Skenderaj tek familja ime. Veç nëse shkojmë tek të afërmit, kam edhe një shtëpi në Klinë personalisht, por fshatarët janë të rrezikuar, se çdo vit po ndodhë kështu,” tha Valdet Tafilaj, banor i fshatit.
Gjendja në fshatra të tjera nuk është aspak më e mirë. Edhe në Dajiq të Klinës, gjatë ditës u intervenua për heqjen e disa pengesave, me qëllim lirimin e kanalit dhe lehtësimin e qarkullimit të ujit.
Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, tha se nuk ka pasur kërkesa për evakuim nga ana e banorëve. Sa i përket situatës, ai theksoi se ende po e monitorojnë, por lumenjtë fushorë kanë dalë nga rrjedha.
“Një nivel i Drinit të Bardhë është më i lartë se në ditën e djeshme dhe ka filluar t’i vërshojë tokat në pjesën e poshtme ose jugore të qytetit të Klinës, pastaj ka edhe dalje dhe prurje më të mëdha të ujit të cilat i jemi munduar t’i rregullojmë përmes urave ndihmëse,” tha Elezaj.
Komuna e Klinës ka formuar komisionin për vlerësimin e dëmeve dhe pret që qytetarët t’i raportojnë dëmet e shkaktuara nga vërshimet, ndërsa verifikimi i tyre do të bëhet sapo situata të qetësohet.
