Lëdëkëistë!

Shkruan: PAL ShTUFI

Nuk ju kanë mundur – jeni vetëmundur!

Fryma rugoviane nuk është mit dhe as përrallë e sajuar. Ajo është themeli dhe struktura e një partie që Rugova e udhëhoqi në periudha tejet të vështira historike. Është katekizmi i pashkruar që përmban udhëzime, parime, norma, qasje, durim, tolerancë, bashkëqeverisje, kompromis dhe maturi politike. Sa herë që jeni shmangur nga ky katekizëm, elektorati ju ka ndëshkuar ashpër, edhe pse keni tundur fotografinë e Rugovës si hajmali fati e suksesi. Jo që nuk mjafton përdorimi i emrit të Rugovës, por as që duhet të përdoret. Duhet fotografia dhe CV-ja e përditshmërisë tuaj politike.

Rugova nuk luante lojën e përjashtimit të tjetrit. Nuk kishte vija të kuqe për subjektet tjera. Përkundrazi, edukonte LDK-në që të përgatitej për bashkëqeverisje edhe me kundërshtarët politik. Vijat e kuqe tregojnë paaftësinë politike dhe mungesën e unit politik, asgjë më shumë.

E zgjodhët Lumir Abdixhikun për kryetar dhe reformator, por gati gjysma e LDK-së reformën e pa si armike të vetën. Megjithatë, Lumiri solli një program të nivelit evropian, organizoi një fushatë të shkëlqyer dhe mori vendime (edhe të gabuara), pasi ishte konsultuar me të gjithë faktorët e rëndësishëm të LDK-së. Në fund, ai i mori mbi vete të gjitha përgjegjësitë e dështimit.

Tani Lumiri mund të japë ose të mos japë dorëheqje, por kjo nuk e ndihmon më LDK-në. Partisë ia keni ndërprerë oksigjenin rugovian. Në vend të tij, keni përdorur thika pas shpine kundër njëri-tjetrit. Ky është defekti juaj kryesor.

Shumë njerëz vullnetmirë dhe dashniplot ju kanë ndihmuar me zemër e pa asnjë interes — ndër ta edhe unë, si rugovist i përbotshëm. Ua njihnim defektet, por shpresonim në përmirësimin tuaj dhe, për këtë arsye, vazhdonim përkrahjen. Megjithatë, disa prej këtyre njerëzve janë dorëzuar më herët, disa do të dorëzohen më vonë — për fajin tuaj. Shpresoj që, siç thotë fjala e urtë, “pushkën të mos ua kthejnë”.

Në LDK ka njerëz shumë të mirë, por kujdes, mos i humbni!


Go to TOP