Vërshimet në Mitrovicë, Peci thërret Shtabin Emergjent

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka bërë të ditur se i gjithë mekanizmi shtetëror, në nivel lokal dhe qendror, është vënë në gjendje gatishmërie për shkak të reshjeve të vazhdueshme të shiut dhe rrezikut nga vërshimet e mundshme në rajon.

Peci njoftoi se sonte në ora 21:00 ka thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme të Shtabit Emergjent, ku morën pjesë të gjithë akterët kompetentë të zinxhirit të sigurisë dhe intervenimit emergjent, përfshirë institucionet lokale, shërbimet emergjente dhe ekipet vullnetare.

“Në këtë mbledhje u diskutua koordinimi ndërinstitucional, u bë vlerësimi i gjendjes aktuale në terren dhe u përcaktuan masat konkrete që duhet të ndërmerren për parandalim dhe reagim të shpejtë,” tha Peci.

Ai theksoi se Komuna e Mitrovicës është e përgatitur të reagojë menjëherë në rast nevoje dhe se të gjitha mjetet dhe kapacitetet komunale do të jenë në dispozicion për menaxhimin e situatës.

Kryetari Peci u bëri thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar, bashkëpunim me autoritetet dhe respektim të udhëzimeve të institucioneve përkatëse, derisa situata po monitorohet vazhdimisht. /Kosova.info/


Go to TOP