Lladrovci: Rruga Drenas-Komoran e kalueshme, kërkohet kujdes i shtuar nga qytetarët
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka njoftuar se rruga Drenas-Komoran është lehtësuar për qarkullim, pasi niveli i ujit ka rënë dhe aktualisht është e kalueshme për automjete.
Megjithatë, Lladrovci ka bërë thirrje për kujdes të shtuar duke kërkuar nga qytetarët që të respektojnë shiritat e vendosur për ndalim të qarkullimit në disa rrugë dhe në afërsi të urave, për shkak të rrezikut të mundshëm nga vërshimet.
Ai ka falënderuar qytetarët për respektimin e urdhrave të organeve kompetente, si dhe të gjithë kontribuuesit që kanë ndihmuar në menaxhimin dhe lehtësimin e situatës së krijuar nga vërshimet e përmasave të mëdha që kanë prekur komunën e Drenasit.
Autoritetet komunale kanë bërë të ditur se situata po monitorohet vazhdimisht dhe se ekipet përkatëse mbeten në gatishmëri për të ndërhyrë sipas nevojës. /Kosova.info/
