Kajtazi: Pa u zhdukur PDK, LDK e AAK nga skena, Kurti nuk rrëzohet – beteja bëhet në rrugë

Gazetari Vehbi Kajtazi ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit politike në vend duke deklaruar se, sipas tij, rrëzimi i kryeministrit Albin Kurti nuk është i mundur pa një ndryshim rrënjësor të opozitës aktuale.

Në një deklarim publik, Kajtazi ka theksuar se përderisa në skenën politike vazhdojnë të jenë të pranishme PDK, LDK dhe AAK, sipas tij, “pushteti diktator” i Albin Kurtit nuk mund të rrëzohet.

“Edhe një gjë, i nderuar popull opozitar: pa u zhdukur nga skena politike PDK, LDK e AAK, kurrë nuk rrëzohet nga pushteti diktatorci Albin Kurti”, ka shkruar Kajtazi.

Sipas tij, opozita dhe qytetarët duhet të punojnë në dy drejtime: së pari, “çlirimin e popullit opozitar” nga partitë tradicionale opozitare dhe, më pas, rrëzimin e Albin Kurtit nga pushteti.

Gazetari shkon edhe më tej duke deklaruar se, historikisht, asnjë autokrat nuk është rrëzuar me votë, por vetëm përmes protestave dhe presionit qytetar në rrugë.

“Kurrë, asnjëherë, asnjë autokrat nuk është rrëzuar me votë. Ata rrëzohen siç kanë ardhur në pushtet – në rrugë, me protesta”, ka theksuar ai duke bërë krahasime edhe me rastin e presidentit venezuelian Nicolás Maduro.

Sipas Kajtazit, Kosova nuk ka nevojë të presë ndërhyrje apo ndikim të aktorëve ndërkombëtarë për ndryshim politik, por ky ndryshim duhet të vijë nga qytetarët.

“Ne nuk kemi nevojë ta presim Trumpin. Ne e paketojmë vet diktatorcin Kurti”, ka deklaruar ai.

Në fund, Kajtazi ka bërë thirrje të drejtpërdrejtë për mobilizim qytetar dhe protesta duke paralajmëruar se edhe vetë do të jetë pjesë e tyre.

“Prandaj, do të jemi në rrugë. Unë do të jem aty. Kundër së keqes. Kundër Albin Kurtit”, ka përfunduar Kajtazi duke ftuar qytetarët që ta ndjekin dhe ta takojnë në shesh. /Kosova.info/

Go to TOP