Fillon aplikimi për European Cybersecurity Challenge 2026

Edhe këtë vit, Kosova Cyber Team do të përfaqësojë Kosovën në kampionatin evropian të sigurisë kibernetike, European Cybersecurity Challenge 2026 (ECSC 2026), i cili do të mbahet nga 6 deri më 9 tetor 2026 në Gjermani.

Të gjithë të rinjtë e pasionuar pas sigurisë kibernetike, që janë shtetas të Kosovës dhe jo më të vjetër se 25 vjeç, ftohen të aplikojnë për t’u bërë pjesë e ekipit përfaqësues të Kosovës përmes këtij linku: https://forms.gle/TWyQ3MxntMu1zETJ8.

Pjesëmarrësit në ECSC 2026 do të garojnë në formatet Attack/Defense dhe Capture The Flag, në fushat binary exploitation (pwn), cryptography, hardware security, reverse engineering, web security dhe miscellaneous. Kosova Cyber Team do të përbëhet nga 10 të rinj, pesë seniorë jo më të vjetër se 25 vjeç dhe pesë juniorë jo më të vjetër se 20 vjeç.

Procesi i përzgjedhjes do të zhvillohet në dy faza, ku faza e parë, lista e gjerë, do të mbahet më 26 janar 2026 me përzgjedhjen e rreth 30 kandidatëve potencialë, ndërsa faza e dytë, lista finale, do të realizohet në qershor 2026 bazuar në rezultatet e kualifikimeve.

Kualifikimet do të jenë gara të ndryshme, disa me prezencë fizike dhe disa online, të organizuara nga marsi deri në qershor 2026, ndërsa lista e garave do t’u bëhet e ditur vetëm kandidatëve të përzgjedhur në fazën e parë. Afati i fundit për aplikim është 25 janar 2026.


Go to TOP